Dy rezultatet e ndeshjeve të fundit për javën e nëntë, kanë përcaktuar verdiktet finale për fazën e parë të kampionatit të 83-të kombëtar të futbollit tonë. Tirana është konfirmuar kryesuese, por humbja e parë në kampionat, ka minimizuar diferencën me Kukësin me vetëm tri pikë. Ndryshimet e vetme në renditje në përfundim të javës ishin kapërcimi i Vllaznisë nga vendi i 5-të në të tretin dhe zbritje me një shkallë për Teutën dhe Laçin.

15 golat e shënuar në javën e 9-të, i shkuan në sinkron trendit pozitiv të fazës së parë, që regjistroi shifrën 116 gola të shënuar në 45 ndeshje të luajtura me mesataren 2.57 gola për ndeshje. 37 gola, ose 31% i totalit të golave është shënuar në situata standarde. Tirana dhe Kukësi janë skuadrat e vetme që kanë shënuar në secilën ndeshje, ndërsa Egnatia është skuadra e vetme që nuk ka mbyllur asnjë ndeshje pa pësuar.

Rivaliteti ekstrem i paralajmëruar në shumicë nga protagonistët dhe opinioni i gjerë sportiv është konfirmuar më së miri nga numri rekord i barazimeve, 18 në 45 ndeshjet e luajtura. Ndërkohë 15 ndeshje u fituan nga skuadrat vendase dhe 12 nga udhëtueset.

Risia absolute e këtij sezoni ishte përdorimi i VAR. Pavarësisht ndonjë problematike të konstatuar në ndonjë ndeshje, ndërhyrjet e teknologjisë kanë rezultuar deçizive në ecurinë dhe verdiktet e shumë prej sfidave.

Përjashtuar rastet, në të cilat VAR, në varësi edhe të protokollit, ka konfirmuar vendimet e arbitrave të lojës, janë 23 raste, në të cilat ndërhyrja e VAR i ka dhënë rrjedhë tjetër takimeve. Skuadra që është ndihmuar më shumë është Tirana me 5 raste, ndërsa bie sy Kastrioti me asnjë rast në favor. Sa i takon vendimeve kundra Kukësi, Teuta, Dinamo dhe Skënderbeu kanë parë secila nga tre raste.

Skuadra VAR Pro/Kundër

1 Tirana +5/-2

2 Kukësi +3/-3

3 Vllaznia +3/-2

4 Teuta +3/-3

5 Laçi +1/-1

6 Egnatia +2/-2

7 Dinamo +2/-3

8 Partizani +3/-2

9 Skënderbeu +1/-3

10 Kastrioti +0/-1

Një nga vendimet më të rëndësishme në ecurinë e ndeshjeve mbeten penalltitë. Në fazën e parë janë akorduar 18 të tilla, nga të cilat janë kthyer në gol 15 prej tyre. Skuadrat me më shumë penallti në favor janë Egnatia dhe Partizani me nga 3 secila, ndërsa e vetmja ende pa provuar shijen e goditjes së një 11-metërshi është Skënderbeu. Gjithashtu, korçarët së bashku me Egnatian kanë marrë më shumë penallti kundra, secila nga 3.

Skuadra Penalltitë Pro/Kundër (Të realizuara)

1 Tirana +2(2)/-1(0)

2 Kukësi +2(2)/-1(1)

3 Vllaznia +2(2)/-1(1)

4 Teuta +1(1)/-2(1)

5 Laçi +2(2)/-1(1)

6 Egnatia +3(2)/-3(3)

7 Dinamo +2(2)/-3(2)

8 Partizani +3(2)/-2(2)

9 Skënderbeu +0 /-3(3)

10 Kastrioti +1(0)/-1(1)

Llogaritë e mbyllura për fazën e parë, e vështirë të shoqërohen me analiza të detajuara, duke qenë se vëmendja e skuadrave do të zhvendoset tek takimet për javën e dhjetë, ose të parën për fazën e dytë.