Julen Lopetegui i ka dhënë lamtumirën të hënën Realit të Madridit, pasi u shkarkua nga klubi spanjoll me një komunikatë shumë të rëndë që praktikisht e tregonte atë si të paaftë. Por tekniku spanjoll është treguar shuam bujar karshi klubit dhe të paktën do të ketë një arsye të vogël për të qenë i lumtur.

Lopetegui kishte nënshkruar një kontratë për 3 vite me një rrogë prej 6 milionë eurosh në sezon, por ndryshe nga sa mendohej, ai nuk i ka kërkuar klubit pagesën e plotë për ndërprerjen e njëanshme të kontratës.

Pavarësisht asaj komunikate të ashpër, klubi dhe trajneri janë ndarë në mënyrë miqësore, aq sa mediat spanjollë raportojnë se ai ka marrë rrogë vetëm për 6 muaj punë.

Kësisoj, në llogarinë e tij kanë përfunduar 3 milionë euro, për 139 ditët që drejtoi Real Madrid mes shumë telashesh të cilat lindën që në momentin kur vendosi të nënshkruante duke u larguar nga drejtimi i Spanjës.

Sipas medieve spanjolle, vendim për të mos kërkuar më shumë është që të mbronte imazhin e tij të dëmtuar rëndë nga kjo eksperiencë, pasi trajneri pret të kthehet shpejt në drejtimin e një klubi tjetër në Spanjë apo jashtë saj. /vipsport/