Si mund të të ndryshojë jeta për pak muaj? Pyesni Rei Manajn. Në korrik ishte njeriu i momentit në Barcelonë, ndërsa tani po kalon një moment të vështirë te skuadra e Spezias në Serie A.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare i mahniti të gjithë në ndeshjet miqësore të katalanasve duke shënuar 4 gola në 104 minuta të luajtura, 3 prej tyre në një sfidë të vetme ndaj Gimnastic. Pushtoi faqet e para të gazetave katalanase, mahniti presidentin Laporta, u diskutua shumë që të qëndronte si sulmues kryesor në ekipin e Barcelonës.
Madje u shkrua se mund të merrte edhe numrin 10 të Lionel Messit. “Mbreti” Manaj e quanin atë muaj, duke bërë edhe lidhjen me emrin e tij. Nga i krahasim ka mbetur vetëm emri…
Rei i shkoi shumë pranë ëndrrës së tij dhe u grumbullua disa herë nga trajneri Koeman në atë kohë, por pa arritur që të bënte debutimin në një ndeshje zyrtare. Jo për fajin e tij, por për shkak të klubit që kishte 1001 probleme financiare, sportive dhe nga ana e menaxhimit. Qëndroi deri në fund, por u largua në ditët e fundit të merkatos së verës për të nisur një aventurë në Serinë A.
U mendua se do të ishte e lehtë, por tani që kanë kaluar 13 javë, sulmuesi kuqezi ka luajtur vetëm 1 si titullar. Problemet fizike po e pengojnë që të tregojë potencialin e tij dhe trajneri Motta duket se ka preferenca të tjera në repartin e avancuar. Por ai është duke punuar intensivisht për të kapur formën dhe për t’u rikthyer sërish në qendër të vëmendjes. Talenti nuk i mungon… /oversport/