Paraditen e sotme çiklistët e 11 ekipeve pjesmarrëse të Rrethit të 71-të Çiklistik të Shqipërisë kanë lënë Shkodrën dhe kanë marrë rrugën drejt Burrelit për të  nisur kështu etapën e dytë të tij. Para nisjes është zhvilluar edhe ceremonia e nderimit të fituesve të ditës së parë ku kanë marrë pjesë drejtuesit e Federatës Shqiptare të Çiklizmit si dhe ato të klubit shumësportësh Vllaznia që kanë akorduar edhe shpërblime për tre vendet e para.

Nuk ka munguar vlerësimi edhe për ekipin e Vllaznisë i cili u nderua me një diplomë për paraqitjen shumë të mirë të bërë në etapën e parë të këtij Rrethi, atë me itinerar Tiranë- Shkodër. Presidenti i Federatës së Çiklizmit Skënder Anxhaku është shprehur shumë i kënaqur për pritjen në Shkodër dhe njëkohësisht edhe për krijimin sërish të ekipit të çiklizmit të Vllaznisë sepse sipas tij, këtij qyteti i takon kjo gjë. “Më vjen mirë që interesimi në Shkodër, qytetin djep të çiklizmit, është rikthyer dëshira për t’u marrë me këtë sport. Shoh një mbështetje dhe nga ana e klubit dhe kuptohet që gjërat duken në rrugë të mbarë. Sa i takon Rrethit, mendoj se do jetë i fortë deri në fund sepse katër ekipet e huaja që marrin pjesë në të, e kanë rritur shumë forcën e tij”- ka thënë numri 1 i Federatës.Pas kësaj ceremonie, sportistët janë rreshtuar në vijën e nisjes për të marrë rrugën drejt Burrelit. Gara ka qenë e fortë nisur edhe nga terreni malor që e ka shoqëruar atë. Por edhe këtë herë, defektet nuk i kanë lënë rehat çiklistët e Vllaznisë. Bruno Kola përsëri ka bërë gomë dhe kjo ia ka vështirësuar shumë punën megjithatë ai ka arritur të futet në Burrel me grupin e dytë duke bërë një figurë shumë të mirë sportive.

 Gjergj KOLA

Tre çiklistet e Vllaznise, Sabah Alija, Bruno Kola dhe Riad Ferhati ne podium pasi jane nderuar me diplome nga FSHÇ-ja paraditen e sotme para nisjes se etapes Shkoder- Burrel.