Vllaznia do jetë sot në orën 17:45 përballë Teutës, në ndeshjen e javës së 6-të të Superligës. Një transfertë aspak e lehtë dhe shumë delikate. Kjo duke parë edhe formën aktuale që po kalojnë durrsakët, ku me vetëm 3 pikë në 5 javët e para, do kërkojnë reagimin ndaj kuqebluve.

Për më tepër edhe statistikat në “Niko Dovana” në thuajse dekadën e fundit, kanë folur të giitha për Teutën. Vllaznia nuk fiton prej 8 vitesh në Durrës, ku për herë të fundit triumfonte në vitin 2014, falë një goli të Krujës. Duke e shndërruar transfertën durrsake me të vërtetë në një tabu.

Por shkodranët e drejtuar nga Josa, përveç se të thyejnë tersin historik, do kërkojnë vazhdimësinë. Kjo pas oshilacioneve të shfaqura në javët e para, ku ekipi nuk ka treguar stabilitetin e duhur. Prandaj një sfidë e tillë po aq sa paraqitet e vështirë është edhe e kalueshme. Ndoshta edhe për ti dhënë një goditje tjetër durrsakëve.

Që realisht nuk janë ajo skuadra e para 2-3 edicioneve, ku duket se këtë sezon do luajnë për mbijetesën. Megjithatë vëmendja e Vllaznisë patjetër që është tek takimi i sotëm për të marrë maksimumin dhe krijuar një ecuri. Pasi në javët që vijojnë kalendari do jetë shumë i ngjeshur me sfida shumë të zjarrta për tu luajtur.
Endri ÇINARI