Java e katërt e “Abissnet Superiore” i ka patur sërish protagonistë futbollistët shkodranë që luajnë për ekipet e tjera. Këtë herë, kanë qenë plot 7 prej tyre që kanë luajtur si titullarë këtë javë, ndërsa 2 të tjerë kanë hyrë si zëvendësues.

Ka spikatur mbi të gjitha kapiteni i Bylisit Aleksander Trumçi i cili përveçse ka qenë 90 minuta në fushë si titullar në ndeshjen në Laç, me golin e shënuar në minutën e 58-të i ka dhënë fitoren Bylisit (1-0). Po në këtë ndeshje, në formacionin e Bylisit ka luajtur për 89 minuta si titullar edhe shkodrani tjetër Eridon Qardaku i cili është zëvendësuar në minutën e 89-të nga Perreira.

Nga ana tjetër, po në këtë ndeshje, tek Laçi shkodrani Sebastian Spahiu këtë herë është preferuar si zëvendësues nga ana e trajnerit Vukiçeviç i cili e ka aktivizuar atë në minutën e 57-të në vend të Prengajt.

Në ndeshjen tjetër të kësaj jave, atë Partizani- Erzeni (0-1), shkodrani Marcelino Preka nuk ka qenë as në stolin e rezervave për të kuqtë, ndërkohë që futbollisti nga Malësia e Madhe Klevis Dragaj është aktivizuar në minutën e 79-të në vend të Carës.

Në ndeshjen Kastrioti- Tirana (0-0), në formacionin e krutanëve sërish kanë luajtur si titullarë për 90 minuta, shkodranët Abaz Karakaçi dhe Edon Hasani.

Në ndeshjen Egnatia- Vllaznia (3-0), protagonistë të suksesit të rrogozhinasve ndaj ish- skuadrës së tyre kanë qenë edhe dy shkodranët, portieri Alen Sherri dhe mbrojtësi Abdurrahman Fangaj që kanë luajtur nga 90 minuta secili.

Ndërkohë në ndeshjen Teuta- Kukësi (0-0), vetëm shkodrani Rubin Hebaj ka luajtur si titullar. Ai është zëvendësuar nga ana e trajnerit në minutën e 85-të duke i lënë vendin futbollistit Fejzulla. Nga ana tjetër, shkodrani Ildi Gruda është futur si zëvendësues në minutën e 67-të në vend të Emiliano Vilës. Kurse dy shkodranët e tjerë, Uheid Hoxha dhe Klevis Bebeziqi nuk kanë qenë as në stolin e rezervave të durrsakëve për këtë takim./SHKODRA-SPORT.COM/