Opinion nga Gjergj KOLA

Në fillim ishte Vajushi që shënoi gol në fund të javës që shkoi. Pastaj të martën e bëri këtë gjë edhe Sukaj. I treti në rradhë ishte mëngjesin e së enjtes Salihi dhe i fundit, mbrëmjen e së enjtes në “Qemal Stafa” edhe Bala. Kanë shënuar të gjithë. Jo rastësisht janë nga Shkodra. Më e bukura është se këta futbollistë kanë shënuar dhe gëzuar në katër anët e botës. Vajushi në Bullgari për Liteks, Sukaj në Iran për Sepahan, Salihi në Amerikë për DC United dhe Bala në Shqipëri për Tiranën. Veç në Shkodër jo. Vllaznia në fakt po vuan për një sulmues të tillë. Largimi i këtyre sulmuesve nga qyteti i tyre, ka bërë që skuadra kuqeblu të vuajë mungesën e sulmuesve cilësorë. Aq e vërtetë është kjo saqë pas largimit të Sukajt dhe Vajushit nga skuadra në sezonin që sapo shkoi, askush nuk i zëvendësoi siç duhet. Askush nuk bëri gola më shumë sesa ato. Shkodra detyrohet të vuajë sërish largimin e yjeve të saj. Ajo çfarë është më e keqja, ka të bëjë me faktin se këta futbollistë por edhe shumë të tjerë, gjithnjë kanë dëshirë të largohen. Jo se nuk e duan Shkodrën dhe Vllazninë por këtu mesa duket nuk ndihen aq mirë, aq të ngrohtë nga klubi, nga drejtuesit. Për rrjedhojë, zgjedhin rrugën e ikjes. Andej ku të munden për të mos u kthyer më ndoshta kurrë në Shkodër. Dhe tifozët që “vajtojnë” shënimin e golave të këtyre futbollistëve për skuadrat e tjera. Mbrëmjen e së enjtes, në rrjetin social “facebook” ka patur shumë urime për Balën që i dha kupën Tiranës, por njëkohësisht edhe shumë sharje e ofendive ndaj drejtuesve të Vllaznisë që nuk bëjnë asgjë për t’i marrë këta futbollistë dhe për të bërë një skuadër pretendente. Me gjithë këta sulmues që luajnë jashtë Shkodre, Vllaznisë aktuale i duhet të blejë dy sulmues cilësorë për sezonin e ardhshëm. Dhe të dy ata do jenë joshkodranë. E pafalshme!