Prej tre ditësh ka nisur në Rusi Kampionati Europian për 22 vjeçarët, kampionat në të cilin po marrin pjesë edhe 4 boksierë të kombëtares shqiptare. Tre prej tyre në fakt i kanë zhvilluar ndeshjet e tyre dhe kanë humbur duke u eliminuar nga vazhdimi i garës.

E vetmja që ka mbetur ende në lojë është boksierja shkodrane Elsidita Selaj e cila do të ngjitet në ring ditën e martë ndaj një kundërshtareje bjelloruse dhe nëse fiton ndaj saj, siguron medaljen e bronztë.

Ndërkohë Boksieri shkodran Albert Kapaj ka konkurruar në peshën 91 kilogramë dhe përballë ka patur boksierin francez Bouhafia ndaj të cilit ndonëse është përpjekur, nuk ka arritur dot të bëjë asgjë dhe prandaj është detyruar të pranojë humbjen. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me boksierët e tjerë të kombëtares shqiptare Mikel Çullhaj dhe Muhamet Qamili të cilët kanë humbur dhe janë eliminuar.

E vetmja sportiste që ka mbetur ende në garë është boksierja shkodrane Elsidita Selaj. Siç dihet, ajo një vit më parë mori medaljen e argjentë në Kampionatin Europian të 18 vjeçarëve që u zhvillua në Itali, ndërkohë që tani do të tentojë të bëjë të njëjtën gjë në kampionatin e 22 vjeçareve.

Trajneri i saj, i mirënjohuri Jetmir Kuçi ka besim tek sportistja e tij sepse me punën që kanë bërë në stërvitje, mund t’ia dalë. Ndeshja e Selajt do të zhvillohet ditën e martë dhe përballë ajo do të ketë një kundërshtare nga Bjellorusia.

Nëse fiton ndaj saj, boksierja e kombëtares shqiptare do të siguronte medaljen e bronztë në këtë Europian dhe ky padyshim që do të ishte një tjetër sukses i saj. Megjithatë, duhet pritur se çfarë do të sjellë kjo përballja e nesërme dhe shanset janë të mëdha që Elsidita Selaj të na nderojë sërish.
© shkodrasport.com