FSHF-ja zbardh kalendarin e Kategorisë së Dytë për sezonin 2022-2023 dhe konfirmon shkrirjen e KF Elbasanit, klubit legjendë të futbollit shqiptar që ka fituar dy tituj kampionë (1983-1984 dhe 2005-2006), dy Kupa të Shqipërisë (1975 dhe 1992) dhe një Superkupë (1992).

Pas ndarjes nga jeta të presidentit legjendar, Arben Laze, familja e tij u mundua të mbante gjallë klubin, që ia doli të mbyllte sezonin 2021-2022 në mesin e tabelës në grupin A të Kategorisë së Dytë.

Tashmë KF Elbasani që gëzonte një qytet të tërë me titullin kampion të sezonit 2005-2006 nuk ekziston më, por gjithsesi bashkia i ka paraprirë me kohë kësaj situate.

Këtë sezon pjesë e Kategorisë së Dytë do të jetë ekipi Akademia e Futbollit Elbasani, që drejtohet nga Gentian Stojku dhe financohet nga bashkia.

Kësisoj, zhgënjimi që mund të përjetojnë tifozët do të jetë më i vogël.Ndërkohë, në shortin e hedhur dje në FSHF, u bë edhe ndarja e grupeve, ku ashtu si edicionet e kaluara pati “çudira”.

Sopoti dhe Naftëtari, që në kampionatin e fundit ishin pjesë e grupit të Jugut (B), tashmë kanë kaluar në grupin e Veriut (A).

Pa nisur ende kampionati, Vora e Artan Mërgjyshit ka investuar miliona dhe ka hedhur kandidaturën për ngjitje, ndërsa edhe Veleçiku me trajner Dritan Smajlin, kërkon të rikthehet në të Parën.Sa i përket grupit B, aty emrat janë të mëdhenj, duke filluar nga AF Luftëtari, AF Elbasani, Pogradeci etj.

Që në javën e parë, që nis më 2 tetor, do të kemi përballjen mes ekipeve me shumë emër, AF Elbasani-AF Luftëtari, ndërsa Pogradecit kalendari i ka rezervuar derbin me Devollin.

RREGULLORJA – Nga Kategoria e Dytë në të Parën do të ngjiten automatikisht fituesit e grupeve A dhe B.

Sipas skemës së riformatuar këtë edicion, e renditura nga vendi i dytë në vendin e pestë në secilin grup, do të luajnë ndeshje “play off” për të përcaktuar skuadrën që do të përballet me vendin e 9-të dhe të 10-të të Kategorisë së Parë.

Skuadra e vendit të dytë do të luajë me ekipin e renditur në vendin e pestë, ndërsa skuadra e renditur në vendin e tretë në klasifikim do të përballet me ekipin e vendit të katërt.

Më pas, skuadra fituese e dalë nga këto ndeshje në grupin A do të përballet me vendin e 9-të në Kategorinë e Parë në një fushë asnjanëse.

Ndërsa ekipi fitues i dalë nga këto ndeshje në grupin B do të sfidojë skuadrën e renditur në vendin e 10-të në Kategorinë e Parë.