Që kur sheikët nga Katari vendosën të merrnin pronësinë e Paris SG-së, ata kishin për objektiv madhor kthimin e Paris SG-së në një superfuqi në futbollin europian.

Me pak fjalë, ata kërkonin të sillnin në Paris trofeun më të lakmuar, Ligën e Kampioneve. Që nga dita kur ata vunë këmbët në Paris kanë kaluar 11 vjet, por kupa me veshë të mëdhenj vijon të mbetet veçse një vizatim në projektet e klubit.

Dështimi më i fundit ka ardhur të mërkurën në mbrëmje, teksa PSG-ja është mundur nga Realit i Madridit, duke lënë rrugëtimin në 1/8-at e finaleve.

Al Kelaifi dhe investitorët e tjerë nga Katari kanë shpenzuar plot 1 miliard euro në këto 11 vite në mënyrë që PSG-ja të fitojë Ligën e Kampioneve.

Gjithçka filloi me Pastoren, i cilësuar si “galaktiku” i parë për të cilin u shpenzuan 42 milionë euro.

Më pas erdhën me radhë Ibrahimoviç, Kavani, Di Maria, e më pas me Nejmarin, për të cilin vendosën dhe rekordin prej 222 milionë eurosh për t’ia marrë Barcelonës.

Atyre iu shtua dhe Mbape, për të ardhur te vera që lamë pas ku në skuadër u afruan Mesi, Serxho Ramos, Donaruma, Ashraf Hakimi. Një katalog yjesh në Paris, por Liga e Kampioneve mbetet një trofe i mallkuar për Parisin.

Dhe eliminimi më i fundit nuk është kapërdirë aspak dhe për herë të parë priten pasoja drastike. Tashmë rrezikojnë të gjithë, duke nisur nga Leo Mesi.

Ky i fundit është kritikuar ashpër nga mediat franceze, por këtë herë ai duket se ka kundër dhe tifozërinë e Parisit. “RMC” bën me dije se grupi më fanatik i tifozëve të PSG-së e ka akuzuar Mesin si një nga fajtorët e dështimit në Champions.

“Ky nuk është Mesi, ky është një pensionist që erdhi në Paris. Luajti duke ecur në këmbë. Më mirë të shporret, le të kthehet në Barcelonë”, kanë komentuar të irrituar tifozët e Paris SG-së.