Mbrëmjen e kaluar Italia doli në fushë për herë të parë kundër Shqipërisë në stadiumin inovativ kombëtar, të ndërtuar në Tiranë nga arkitekti fiorentin Marco Casamonti. Stadiumi u përurua më 18 nëntor 2019 me ndeshjen Shqipëri-Francë.

U shkatërrua impianti i vjetër ‘Qemal Stafa’ dhe u ndërtua i riu: një investim prej 80 milionë eurosh për 22,000 vende plotësisht funksionale në qendër të qytetit, parkingje nëntokësore dhe një qendër tregtare me shërbimet përkatëse. Kjo është një ndërhyrje zëvendësuese e ndërtesës pasi është ndërtuar në të njëjtën zonë ku qëndronte kompleksi sportiv origjinal, kushtuar atletikës dhe futbollit, i projektuar në fund të viteve 1930 nga një arkitekt tjetër fiorentin, Gherardo Bosio.

Ndërtesa, me përjashtim të strukturës monumentale në hyrje të tribunës, u rindërtua plotësisht me qëllimin e krijimit të një objekti të aftë për të përmbushur standardet e UEFA-s.

“Tetëdhjetë vjet më vonë, studioja jonë e gjeti veten duke u marrë me një vepër të projektuar nga një arkitekt tjetër nga qyteti ynë – thotë Marco Casamonti -. Që në fillim menduam për zgjedhjen e një qasjeje respektuese, për nevojën për një restaurim të rikompozimit, me anë të anastilozës së pjesëve monumentale, një metodologji specifike që na lejon të punojmë me gurët e strukturave antike.

Me teknikat më inovative të rilevimit, skanuam të gjithë muraturën e veprës dhe, pasi numëruam individualisht pjesë të ndryshme, i ruajtëm në zonën e kantierit”.

“Pasi u rindërtuan pjesët nëntokësore, ne ripozicionuam në kohën e duhur të gjithë hyrjen e tribunës, e cila u rindërtua nën një ndërtesë ure, duke ruajtur efektivisht aksesin monumental të së kaluarës, nga e cila autoritetet hyjnë edhe sot”.