Kombëtarja e Shqipërisë së femrave ka luajtur ditën e sotme ndaj Belgjikës në stadiumin “Elbasan Arena”, ndeshjen e rradhës në eleminatoret e kampionatit botëror. Kështu, sfida u mbyll me fitoren 0-5 të Belgjikës.
Vajzat kuqezi e nisën mirë ndeshjen dhe u afruan në disa raste në portën e Belgjikës fillimisht me Krasniqin dhe më pas me Maksutin që provoi me një gjuajtje nga distanca. Me kalimin e minutave, vajzat belge e shtojnë presionin para portës së Shqipërisë dhe në minutën e 37-të kalojnë në avantazh me anë të De Caigny, e cila zhbllokon rezultatin me një gjuajtje me kokë në qendër të zonës.
Vetëm dy minuta më pas, Wullaert arrin të dyfishojë rezultatin me një goditje të saktë fare pranë portës dhe në minutën e 43-të, De Caigny realizon golin e tretë dhe të dytin personal. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 0-3 në favor të Belgjikës.
Në pjesë e dytë, Shqipëria provon të reagojë, por nuk arrin dot të gjejë rrugën e rrjetës. Në minutën e 57-të, Belgjika i çon shifrat në 4-0 me golin e Wullaert.
Grima detyrohet të bëjë një zëvendësim të detyruar, kur Elezaj e dëmtuar lë fushën e lojës. Në vendin e saj hyn Hamidi. Në minutën e 79-të, belget shënojnë edhe golin e pestë me Blom.
Trajneri kuqezi Grima bën disa zëvendësime, duke hedhur në fushë Tukajn, Lufon dhe Metallën, por rezultati nuk ndryshon deri në fund. Sfida mbyllet me fitoren 0-5 të Belgjikës, ndërkohë që tani Shqipëria do të përgatitet për ndeshjen e rradhës ndaj Armenisë në transfertë.
Trajneri shkodran Armir Grima e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Rexhepi, Curraj, Maliqi, Elezaj, Hila, Krasniqi, Doçi, Gjini, Franja, Maksuti dhe Bejleri.
Maringlen ZHIVANI