Shqipëria U-19 për femra ka zhvilluar ditën e sotme ndeshjen e parë në raundin kualifikues të Europianit U-19 ndaj Izraelit, që u fitua nga vajzat izraelite me shifrat 2-0. Kjo sfidë u zhvillua në Turqi.
Rasti i parë i ndeshjes erdhi menjëherë në minutën e 3-të për vajzat kuqezi, me Armokun që merr topin dhe kroson nga e djathta për Hamonikaj në zonë, që gjuan lehtë, me topin që përfundon në duart e portieres kundërshtare.
Skuadra e Shqipëria U19 kontrolloi mirë topin, por në minutën e 29-të, izraelitet do të ndëshkonin Shqipërinë me Almasri që kaloi në avantazh rivalet tona.
Vajzat kuqezi tentuan të reagonin pas këtij goli, me Memën që gjuajti fort nga jashtë zone një top që goditi traversën në minutën e 35-të. Izraelitet realizojnë edhe golin e dytë në minutën e 41-të, me Almasrin sërish, që realizon dopietë në këtë sfidë.
Me nisjen e pjesës së dytë, skuadra tentoi të ndryshonte rrjedhën e lojës, duke e pasur topin më shumë nën kontroll dhe duke krijuar raste, por pa finalizuar dot. Krepi bëri edhe tre ndryshime përgjatë këtij fraksioni të dytë, duke nxjerrë nga loja Kaçorrin, Cakën dhe Avullijën, por pa rezultat.
Trajneri i Shqipëria U19 për femra, Kreshnik Krepi e nisi lojën me këtë formacion: Hyska, Vuksani, Gjergji, Tanushi, Caka, Kaçorri, Armoku, Hamonikaj, Kalaja, Mema, Avullija, ndërkohë që janë aktivizuar edhe: Puça, Gjata dhe Çemeri.
Shqipëria U-19 për femra do të zhvillojë ndeshjen e dytë ndaj Qipros pas tre ditësh, ndërsa sfida e tretë dhe e fundit do të jetë ndaj Turqisë, më 11 prill.
Maringlen ZHIVANI