Pas fitores së arritur tre ditë më parë në miqësoren tjetër ndaj Maltës, kombëtarja U21 e Shqipërisë do të rikthehet sot të luajë edhe miqësoren e dytë. Këtë herë ajo do të zhvillohet në Shkodër, pikërisht në stadiumin “Loro Boriçi” në orën 19.00.

Miqësorja e parë u fitua 2-0 nga kuqezinjtë e Alban Bushit dhe protagonisti kryesor i atij suksesi ishte sulmuesi shkodran i Partizanit Rubin Hebaj që shënoi golin e parë dhe fitoi 11-metërshin që solli pastaj edhe golin e dytë.

Por ky lojtar për fat të keq pritet të mungojë sonte në “Loro Boriçi” pasi pas ndeshjes së parë ka ndier disa shqetësime muskulare dhe kjo mund ta vërë në dyshim aktivizimin.

Në këtë mënyrë në fushë në këtë ndeshje që do të luhet në Shkodër pritet të jetë vetëm një shkodran, mbrojtësi Marash Kumbulla që luan me Veronën në Itali.

Kjo mungesë e shkodranëve natyrisht që pritet të sjellë edhe një mungesë të tifozëve shkodranë në shkallët e “Loro Boriçit” ndonëse hyrja e tifozëve është falas për këtë ndeshje.
© shkodrasport.com