Në kampin shkodran ka besim se skuadra do të mundet të dalë nga momenti i vështirë që po kalon. Ka qenë kapiteni Ndriçim Shtubina ai që sot ka folur në emër të skuadrës para gazetarëve dhe ka shprehur bindjen se gjërat do të ndryshojnë duke nisur nga takimi i nesërm përballë Teutës. Pikësëpari, ai ka folur në lidhje me gjendjen aktuale të Vllaznisë kur ka thënë: “Skuadra nuk është se luajti keq me Luftëtarin pavarësisht humbjes. Luajtëm mirë por kundërshtari na zuri në disa momente jo të përqendruar. Por ndërkohë, ndeshja me Laçin ishte shumë e dobët për ne dhe duhet ta harrojmë sa më shpejt.Këto dy humbjet e fundit kanë ndikuar tek lojtarët por gjithsesi futbolli kështu është, ka momente të mira por ka edhe të vështira por skuadra duhet të tregojë se ka forca të dalë nga kjo situatë. E kemi treguar edhe më përpara se mund të dalim nga momente të tilla por megjitatë këto oshilacione nuk janë të mira. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shohim përpara”. Por edhe për takimin e rradhës, ekipi do të ketë 3-4 mungesa që natyrshëm ndikojnë tek loja e tij megjithatë Shtubina mendon se ata që do të luajnë, do të japin më të mirën e tyre prandaj shton: “Çdo mungesë ndikon sepse janë projektuar për të qenë pjesë e formacionit por çdo lojtar që do të aktivizohet besoj se do të japë maksimumin dhe me lojën që do të zhvillojnë por edhe egon që do tregojnë, mund të zënë një vend në formacion edhe për në vazhdim sepse diferencat në mes lojtarëve janë shumë të vogla”. Pas humbjes në Laç, trajneri Cungu por edhe drejtuesit e klubit duket se kanë shfaqur njëfarë ftohje me ekipin. I pyetur në lidhje me këtë çështje, kapiteni i skuadrës mohon të ketë probleme. “Trajner e ndjen shumë ndeshjen, nuk e pranon kollaj humbjen dhe këtë kërkon edhe nga ne. Ai mërzitet shumë nga humbjet dhe për më tepër nga lojërat e dobëta dhe natyrisht ka të drejtë sepse në skuadër nuk duhet të lejohen kësilloj oshilacionesh. Kemi treguar se nëse vrapojmë shumë dhe kemi ego, mund të fitojmë ndaj çdo kundërshtari dhe kur ndodh e kundërta, sigurisht që mundet çdo ekip të të mundë. Sa i takon drejtuesve, nuk ka asnjë ftohje me ekipin. Ata kanë punët e tyre me të cilat merren ndërkohë që analizat dhe çdo gjë tjetër i zhvillojmë me trajnerin dhe drejtorin teknik. Kuptohet që ka mërzi edhe tek drejtuesit për humbjet e fundit, por çdo gjë është në rregull në klub”- është shprehur Shtubina. Sakaq ndeshja e rradhës është në prag dhe Vllaznia luan në transfertën e Durrësit, aty ku Teuta duket e etur për pikë nisur edhe nga pozicioni i saj në renditje, megjithatë numri 10 i kuqebluve është i mendimit se edhe skuadra e tij do të kërkojë fitoren. “Jam i mërzitur sepse Vllaznia disa herë pikërisht ndaj kundërshtarëve të saj që kanë qenë jashtë loje, u ka dhënë mundësinë të rikthehen në lojë  duke na mundur ne e kjo nuk na falet. Ne duhet të përfitojmë nga gjendja e Teutës që nuk është në një moment të mirë. Edhe ne nuk kemi një gjendje të mirë por të paktën kemi pikët dhe kjo do na japë mundësinë të luajmë më të qetë dhe të përfitojmë nga kjo.Nuk kemi se çfarë të ndryshojmë shumë në ndeshjen e Durrësit. Të luajmë fort, të kërkojmë të fitojmë çdo dyluftim sepse po shihet se kampionati shqiptar nuk ka shumë diferenca. Kush luan më fort, fiton.Në kushte të tjera do kisha qenë i kënaqur edhe me një barazim por në kushtet aktuale, duhet të luajmë vetëm për fitore sepse ajo do sillte qetësinë në klubin tonë”- është shprehur golashënuesi më i mirë i Vllaznisë në këtë kampionat të deritanishëm. Pesë golat që ka shënuar, i kanë dhënë pikë të rëndësishme skuadrës dhe kur e pyet nëse ka dëshirë të shënojë edhe nesër, Shtubina përgjigjet: “Sa herë që unë premtoj gol, në ndeshjen e rradhës nuk shënoj kështu që nuk do premtoj asgjë. Do mundohem të bëj sa më mirë punën time, kam zbatuar gjithnjë detyrat që më ka dhënë trajneri por nuk jam krejt i kënaqur me veten sepse në futboll nuk ka asnjëherë maksimum”.

© shkodrasport.com