Luftëtari, Vllaznia apo Tirana? Kjo duket se do të jetë lufta për vendin e katërt në renditje, vend ky që do të qëndrojë me shpresa deri në fund të sezonit për një vend në Kupat e Europës. Kush do ta zërë atë? Kapiteni i Vllaznisë Ndriçim Shtubina është i mendimit se ky vend i takon skuadrës së tij sepse ka një kontigjent më të mirë se dy ekipet e tjera. “Do më vinte inat nëse nuk do kapnim vendin e katërt. Pse duhet ta marrë Tirana me atë ekip që ka, pse duhet ta marrë Luftëtari?

Duke parë forcën e ekipit tonë të them të drejtën më vjen inat nëse do të ndodhte ndryshe. Kemi lojtarë të mirë, kemi ekip të mirë, ka pagesa të mira dhe korrekte nga ana e klubit, pra çdo gjë është në rregull. Megjithatë, para se të mendojmë për këto gjëra, në fillim duhet t’i ikim njëherë e mirë fundit të renditje. Këto tre ndeshjet e fundit të fazës së tretë, ka qenë i përqendruar i gjithë interesi jonë. E para, ajo me Laçin kaloi me sukses. Tani jemi të fokusuar tek takimet me Teutën dhe natyrisht që do të ndalemi fillimisht tek ndeshja me ekipin durrsak. Po e vlerësojmë maksimalisht këtë kundërshtar por i kemi mundësitë për ta mundur. Teuta ka ekip të mirë por të paktën ndaj këtij kundërshtari nuk janë ato aludimet e zakonshme të shitjes apo të blerjes së ndeshjes siç ndodh rëndom në të gjitha ndeshjet me Laçin dhe për këtë arsye, do të luajmë më qetë. Do të jetë një ndeshje e qetë, besoj se ka për t’u bërë edhe një futboll më i bukur dhe do ta fitojmë këtë takim”- ka thënë golashënuesi më i mirë i Vllaznisë në këtë kampionat me 5 gola, Ndriçim Shtubina.

© shkodrasport.com