Zhurma në lidhje me të ardhmen e futbollistit shkodran Hamdi Salihi vazhdon. Çdo ditë publikohet nga një emër i ri skuadre se ku mund të përfundojë ai. Për momentin, shpresat më të mëdha janë që ai të shkojë në Kinë tek skuadra Changchun Yatai FC. Por ndërkohë, mediat austriake kanë bërë të ditur sot se e interesuar për sulmuesin 28 vjeçar ka qenë edhe skuadra austriake e Shturm të Gracit. Por përballë kësaj oferte, ka qenë Rapidi i Vjenës ai që ka thënë “jo” sepse ata duan që lojtari të mos shkojë tek ndonjë skuadër tjetër e këtij kampionati për t’i forcuar ata. Në këtë mënyrë, Salihi mund të firmosë vetëm për një skuadër jashtë Austrisë. Nga ana tjetër, një nga menaxherët që ka punuar me të, pikërisht kosovari Erkan Sulejmani është shprehur se në lidhje me ofertën kineze, nuk ka shumë të vërteta brenda megjithatë ai nuk është marrë me këtë lëvizje dhe prandaj edhe nuk mund të besohet shumë. Ajo çfarë pritet tashmë është të shohim se ku do përfundojë Salihi? Me shumë mundësi deri në limitin e fundit të mbylljes së merkatos, mesnatën e 31 janarit, kështu do vazhdohet. Në Austri, Kinë, Skoci, Francë apo tek Vllaznia në Shkodër. Kjo e fundit me siguri që jo pavarësisht se tifozët shkodranë do ta adhuronin një moment të tillë. Hamdi Salihi ka ndër mend të luajë edhe disa vite të tjera jashtë vendit para se të kthehet këtu për t’i dhënë lamtumirën futbollit të luajtur.

www.shkodrasport.com