Vllaznia-Partizani do jetë ndeshja që do përcaktojë shumë në fatet e sezonit të dy skudrave ditën e mërkurë. Takim i vlefshëm për gjysmëfinalen e kthimit të kupës së Shqipërisë do luhet në orën 17:45 në “Loro Boriçi” dhe duket si një ndeshje shpëtimi për sezonin e ekipeve. Një takim që ka prodhuar gjithmonë histori dhe përballje që mbahen mend, por edhe futbollistë që kanë përfaqësuar ngjyrat e të dy skuadrave.

“Shkodra Sport” sjell një formacion me lojtarët që kanë luajtur me të dy skuadrat në 10-vjeçarin e fundit të futbollit. Në portë duke mos pasur një emër përfaqësues në vitet e fundit është vendosur Armir Grima. Portieri i shquar shkodran përveçse një karriere të pasur tek Vllaznia, në vitin 2004 ka qenë pjesë edhe e Partizanit.

Mbrojtja është e përbërë nga disa emra interesantë. Futbollistë si: Vrapi, Bicaj, Malota dhe Hakaj kanë qenë përfaqësues të denjë të dy prej fanellave më historike të futbollit shqiptar. Në mesfushë ndodhet dyshja Tafili-Marku, ku ky i fundit është edhe ish-i i madh i sfidës që do luhet ditën e mërkurë. Nga krahët të vendosur janë edhe Çinari dhe Bakaj.

Futbollistë respektivisht të formuar tek akademia e Vllaznisë dhe ajo e Partizanit, por që në momente të ndryshme të karrierës kanë përfaqësuar edhe skuadrën tjetër. Në sulm dyshja shkodrane Sukaj-Hebaj ka spikatur në vitet e fundit me gola për të dy skuadrat. Një formacion i mbushur me lojtarë cilësor, ku shumica prej tyre janë sërish aktivë në futboll.

Patjetër që lista pasurohet me emra legjendarë si: Boriçi, Bizi, Rragami, Basha apo edhe të mëvonshmit si L.Zmijani, Bejzade, Dhëmbi që kanë përfaqësuar denjësisht të dy ekipet, por formacioni është ndërtuar në bazë të 10-vjeçarit të fundit të futbollit në Superligë.
Endri ÇINARI