Humbja e pësuar pasditen e sotme në “Reshit Rusi” ndaj Burrelit me rezultatin 1-2, ka “tërbuar” trajnerin e Tërbunit Kreshnik Krepi.

Ai kurrsesi nuk e kishte menduar një rezultat të tillë. Një humbje që ka rënduar tashmë edhe më shumë pozitat e pukjanëve në renditje.

Jo më kot, trajneri shkodran i ekipit pukjan ka lëshuar jo pak akuza ndaj disa prej futbollistëve të tij.

“Një humbje e pamerituar. Nuk duhej të kishte ndodhur dhe jo më kot do t’i propozoj drejtuesve të klubit të ketë edhe gjoba ndaj portierit dhe ndonjërit prej mbrojtësve të cilët kanë bërë një paraqitje aspak të mirë në këtë ndeshje”- ka thënë ai.

Tërbuni me humbjen e sotme, ka mbetur në kuotën e 17 pikëve dhe tashmë është shumë pranë ekipeve që ndodhen në vendet e fundit të renditje duke e vënë edhe atë në pozita jokomode.

Nëse deri para 2-3 ndeshjesh, ekipi pretendonte të ishte në pesëshen e parë të renditjes, sot rrezikon seriozisht rënien nga kategoria.
© shkodrasport.com