Kastrioti do të luajë sërish në transfertë, ku të dielën do të jetë përballë Laçit. Humbja e fundit në Korçë duket se nuk ka ndikuar në skuadër, këtë e pohon mesfushori Silvio Zogaj, i cili në pjesën e dytë të sezonit, ka qenë njëri ndër më të spikatur në radhët e krutanëve. Në prononcimin e tij për “Panorama Sport” Zogaj, përveç situatës dhe ndeshjes me Laçin, flet për të ardhmen e tij.

Silvio, një humbje pas një faze, çfarë nuk shkoi në Korçë?

Kishim 10 ndeshje që arrinim rezultate pozitive. Të gjitha takimet kanë pasur ngarkesë të lartë fizike dhe psikologjike. Transferta e Korçës ishte përgatitur mjaft mirë nga stafi dhe impenjimi i skuadrës ishte maksimal, por mendoj se ishte thjesht një ditë e keqe për ne. Shpresoj që të mos përsëritet më deri në fund.


A mund të ndikojë humbja psikologjikisht për ndeshjen e radhës?

Ndikimi psikologjik? Unë them se kjo humbje do të jetë vetëm motivuese dhe aspak negative. Mendoj se skuadra do të futet në fushë për të treguar forcën e vërtetë dhe 2 rezultate negative radhazi ky ekip nuk i pranon.


Laçi po bën mirë, sa e vështirë do të jetë përballja me ta?

Laçi është forca e dytë e kampionatit dhe është një nga skuadrat më të forta të Superiores ndër vite. Si çdo ndeshje, edhe kjo kërkon mobilizimin maksimal dhe të japim 200% në fushë, si çdo javë tjetër. Kemi treguar se dimë t’ia dalim ndaj çdo skuadre në vendin tonë.

Pësuat një dëmtim në fund të ndeshjes me Skënderbeun, sa serioz ishte?

Ishte një dëmtim joserioz, por që do kohën e tij për t’u rikuperuar. Nuk është asgjë problematike dhe së shpejti do të jem sërish në fushë.


Pothuajse të gjitha ndeshjet i keni si titullar dhe me paraqitje të mira. Sa i kënaqur jeni me veten në këtë gjysmësezoni te Kastrioti?

Me veten nuk jam i kënaqur asnjëherë. Mendoj se mund të bëj akoma më shumë, por jam i kënaqur që Kastrioti po arrin objektivin dhe po del jashtë pritshmërive. Ekipi po bën një sezon të jashtëzakonshëm. Duke qenë se kam dhënë kontribut tim maksimal në çdo ndeshje për të pasur këtë ecuri, normalisht që jam i kënaqur.


Të shpëtuar dhe shumë pranë zonës europiane. A mendoni se me humbjen e fundit u shuan edhe shpresat për të kapur Europën?

Të them të drejtën objektivi i Kastriotit ishte t’i shpëtonim zonës “play out”. Fakti që arritëm ta sjellim ekipin në një pikë ku zona europiane është më afër se “play out”-i është sukses shumë i madh. Të ëndërrosh nuk të ndalon askush, por objektivi kryesor mendoj se është arritur.

Meqë po thoni që objektivi kryesor është arritur, personalisht keni menduar përtej këtij sezoni?

Çdo gjë do të varet nga vazhdimësia e këtij projekti me trajnerin në krye dhe grupin. Nuk e di çfarë sjell e ardhmja. Të mbyllim njëherë këtë sezon me dinjitet dhe pozitivisht, pastaj të shohim.