Zv/trajneri i ekipit të Vllaznisë, Vioresin Sinani, ka dhënë opinionin e tij për takimin e fundit, atë të “Klasikes” ndaj Tiranës dhe për objektivat që pritet të ketë në vazhdimësi ekipi shkodran. Për emisionin “Sport Show” në TV1-Channel, ku ka qenë i ftuar, ai ka vlerësuar rikthimin e futbollistëve të dëmtuar, pasi në këto 12-javë, Vllaznia ka vuajtur jo pak prej mungesave të tyre.
Ish-golashënuesi është shprehur se jo vetëm te Vllaznia, por tek të gjithë ekipet e Superiores ekziston kriza e golit. Ai ka veçuar Xhixhën apo Skukën për golat që kanë shënuar në këto 12-javë, ndërsa duhet thënë se jo më shumë se dy apo tri skuadra kanë shënuar më shumë se Vllaznia.
Poashtu, sipas Sinanit, Vllaznia në këto 12-javë ka arritur që të fitojë një futbollist si Alivoda, një lojtar që vjen nga Akademia Vllaznia dhe që premton shumë për të ardhmen. Ndërkohë, sipas zv/trajnerit të Vllaznisë, Sinani, gjetja e një sulmuesi në merkaton e janarit nuk do të jetë e lehtë. Kështu, sipas tij, Vllaznia do të punojë me kontigjentin që ka, duke shpresuar në ndonjë gjetje cilësore.
“Në fakt, duhet thënë se ne si skuadër kemi vuajtur jo pak nga dëmtimet. Aktualisht, kemi një nga emrat më të mirë të ekipit, siç është Latifi, që ende është i dëmtuar. Këto kanë ndikuar te paraqitja e deritanishme te Vllaznia.
Unë e shikoj se në këto javë, jo vetëm Vllaznia, por edhe ekipet e tjera kanë vuajtur për të gjetur golin. Vllaznia është një nga dy apo tri skuadrat që ka shënuar më shumë, ndërsa me përjashtim të Xhixhës apo Skukës, të tjerë sulmues nuk kanë arritur që të shënojnë më shumë. Pjesa tjetër e sulmuesve janë defiçit në shënimin e golave.
Deri tani, Vllaznia ka arritur që të fitojë një futbollist të ri, siç është Alivoda, që po luan si një profesionist. Për mendimin tim, Vllaznia ka fituar një futbollist që punon shumë për t’i marrë maksimumin e punës. Ai është një futbollist cilësor dhe po paraqet më të mirën. Poashtu, ka edhe futbollistë të tjerë me ekipet e të rinjve. Ato do të dinë që të japin më të mirën e tyre, në mënyrë që në të ardhmen të jenë pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë.
Merkatoja e janarit nuk është se paraqet ndonjë gjë shumë të mirë. Ne do të kërkojmë, por ne në rradhë të parë do të punojmë me futbollistët që kemi dhe e bazojmë punën tonë pikërisht këtu. Të gjithë ekipet që kanë futbollistë cilësorë në sulm, gjatë kësaj periudhe i shtrëngojnë fort ata. Ne do të punojmë me këta futbollistë. Ne nuk do t’i “tradhtojmë” këta futbollistë, por do të besojmë te këta. Ne jemi të kënaqur deri tani me këta futbollistë dhe grupi është shumë i mirë”,-tha në prononcimin e tij, zv/trajneri i Vllaznisë, Vioresin Sinani.
Maringlen ZHIVANI