Autoritetet turke kanë urdhëruar arrestimin e dhjetëra personave, përfshirë gjyqtarë të ligave profesioniste dhe drejtues klubesh. Ata janë vënë në pranga me urdhër të prokurorisë nën dyshimin për përfshirje në baste të paligjshme dhe manipulim ndeshjesh.
Skandali i trukimeve në futbollin turk vijon të marrë përmasa akoma më të mëdha. Një hetim i gjerë i prokurorisë turke ka çuar në ndalimin e 21 personave, mes tyre 17 gjyqtarë, kryetari i një klubi të Super Ligës turke dhe disa ish-zyrtarë të futbollit.
Sipas medieve vendase, 18 prej tyre janë tashmë të ndaluar ndërsa operacionet kanë përfshirë 12 qytete të ndryshme në Turqi.
Prokuroria e Stambollit njoftoi se hetimet po zhvillohen për shpërdorim detyre dhe manipulim të rezultateve të ndeshjeve, ndërsa një person tjetër është vënë nën hetim për përhapjen e informacionit mashtrues në rrjetet sociale.
Ky zhvillim vjen vetëm një javë pas një tjetër skandali që përfshiu Federatën Turke të Futbollit, e cila pezulloi 149 gjyqtarë.
Hetimi i brendshëm i Federtës turke zbuloi se qindra zyrtarë të ndeshjeve kishin hapur llogari bastesh dhe madje vëzhgonin e luanin aktivisht bixhoz në ndeshjet e futbollit turk.
Sipas rezultateve të hetimit, 371 nga 571 gjyqtarë aktivë kishin llogari në platformat e basteve, ndërsa 152 prej tyre luanin rregullisht.
Një prej tyre kishte vendosur mbi 18 mijë baste, ndërsa 42 gjyqtarë të tjerë kishin vënë bast në më shumë se 1 mijë ndeshje secili.
Hetimet po vazhdojnë dhe autoritetet nuk kanë përjashtuar mundësinë që lista e të përfshirëve të zgjerohet edhe më tej, pasi po shqyrtohen mijëra transaksione financiare dhe komunikime mes zyrtarëve dhe personave të përfshirë në baste.
Për momentin, identiteti i klubit të Super Ligës turke, presidenti i të cilit ndodhet në arrest, nuk është bërë publik, ndërsa Federata Turke ka premtuar reforma të menjëhershme në sistemin e përzgjedhjes dhe monitorimit të gjyqtarëve.
Federata turke e ka përshkruar këtë situatë si një “krizë morale në futbollin turk”, duke paralajmëruar se pastrimi i sistemit të arbitrimit do të jetë i thellë dhe i menjëhershëm.
Ky hetim sipas autoriteteve turke, synon të pastrojë futbollin nga korrupsioni dhe bastet e paligjshme.







