
35 ndeshje nën shqyrtim Në listën e Gjykatës së Bohumit janë renditur 35 ndeshje me hije trukimi, të cilat janë ndikuar nga mafia e manipulimeve në vitin 2009.
Rapid-Vllaznia 5-0 Ndeshja e raundit të dytë në eliminatoret e Ligës së Evropës 2009 mes Rapidit të Vjenës dhe Vllaznisë (5-0), sipas dëshmive të dhëna, rezulton si e trukuar nga mafia. Pre e këtij manipulimi thuhet se ka rënë ish-portieri i saj kohe (Olti Bishani), të cilit i ishte besuar porta nga ish-trajneri Hasan Lika. Sipas kallëzimit, apo dëshmisë së dhënë nga një dëshmitar që ka qenë në stadium, portierit i patën premtuar 10 mijë dollarë, në qoftë se ai do të pësonte në pjesën e dytë më shumë se tre gola. Si përfundim Vllaznia humbi 0-5 dhe në pjesën e dytë portieri pësoi 4 gola, të mjaftueshme për të fituar bastin. Dëshmitari Edhe pse ende nuk është vërtetuar, njëri prej të akuzuarve në këtë hetim ka dëshmuar se ka qenë i pranishëm në stadium në datën 16 korrik 2009 në ndeshjen e Rapidit të Vjenës kundër Vllaznisë dhe ka marrë miratimin e portierit në fillim të ndeshjes, pas një gjesti të paracaktuar. Shenja Nga dëshmia rezulton se portieri nga frika e trukimeve nuk ia kishte miratuar bastin përfundimisht para ndeshjes. Si shenjë për të miratuar manipulimin, ai në fillim të ndeshjes duhet “të bënte gol” me shishen e ujit, çka nënkuptonte se e kishte miratuar akordin. Në këtë proces fillestar, gjashtë prej të akuzuarve nuk kanë folur ende. Çështjet pritet të vijojnë shqyrtimin më 2 korrik.
(Lajmi është marrë nga: http://de.eurosport.yahoo.com/ 04062012/73/europaleague-wettskandaleuropa-legaue-visier.html)
Bishani: E turpshme, janë shpifje të ulëta
Olti Bishani, portieri që mbrojti portën e Vllaznisë në humbjen 5-0 kundër Rapidit të Vjenës më 16 korrik të 2009, ka hedhur poshtë çdo hipotezë të mundshme që mund ta përfshijë atë në afera të pista. “Shpikje për t’ua faturuar çdo gjë shqiptarëve. Asgjë e vërtetë”, – ka thënë dje futbollisti 24-vjeçar për “Panorama Sport”. Ai nuk ka dëshirë të përfshihet së tepërmi në këtë mesele, por sqaron se nuk ka pasur dijeni dhe nuk ka bërë asgjë të kundërligjshme në asnjë ndeshje ku ka luajtur.
Bishani, Prokuroria gjermane në një raport të sajin citon se ju dyshoheni se keni marrë 10 mijë dollarë për të pësuar tre gola në ndeshjen kundër Rapidit…
Absurde! Tërësisht e pavërtetë. Unë nuk e di nga kanë dalë këto gjëra dhe nuk më duket edhe arsyeshme të jap shpjegime. Janë informacione të publikuara së fundmi në median gjermane.
Ju keni dijeni për ndonjë gjë?
Nuk kam për çfarë të kem dijeni, sepse nuk ka ndodhur asgjë në atë ndeshje. Luajtëm kundër një skuadre shumë më të fortë, shumë më me traditë dhe për më tepër luanim jashtë. Aq mundësi kishim. Bëmë sa mundëm, por nuk është nevoja ta them unë se Rapidi është shumë më lart se Vllaznia, apo jo?
Nuk patë asgjë të dyshimtë në atë takim?
Absolutisht asgjë. Unë flas për veten time dhe e kam ndërgjegjen të pastër, sepse dhashë maksimumin tim.
A ndikon fakti që Shqipëria është një vend i vogël dhe ekipet shqiptare mund ta pësojnë ngaqë kanë pak mbështetje?
Pa diskutim që po. Ne jemi një vend i vogël dhe kur vjen puna për kësi pisllëqesh e aferash të turpshme, ua faturojnë atyre që janë më të dobët dhe që kanë namin e keq. Kështu ndodh edhe këtë herë.
Pra, ju mohoni të keni marrë ndonjë ofertë 10 mijë dollarëshe për të pësuar më shumë se tre gola në pjesën e dytë?
E mohoj në mënyrë kategorike. Kjo është një gënjeshtër trashanike që nuk e di se nga ka dalë. Këto teori, që dikush merr 10 mijë apo më shumë dollarë për të shitur një ndeshje, janë përmendur aq shumë sa janë bërë bajate. As nuk kam dëshirë t’i komentoj.
Prokuroria gjermane pretendon se i referohet një dëshmitari në stadium…
Po pse nuk del e të na thotë kush është ky, ose të flasë vetë ai njeriu që pretendon se paska parë apo dëgjuar diçka? Ose më thoni nëse dikush ka folur vetë dhe e tregon këtë. Në të kundërt, i bie që anonimi i përhershëm i këtyre historive të baltosë çdo gjë, por në rastin tim nuk mundet askush, sepse as jam marrë dhe as nuk merrem kurrë me gjëra të tilla. Kaq, nuk dua ta zgjas më këtë histori.