Quhet Ditmar Jubica dhe vjen nga qyteti i djepit të kulturës dhe sportit shqiptar, Shkodra. Në moshën 19-vjeçare do të niste rrugëtimin e tij si arbitër, fillimisht si asistent në ligën amatore të Shkodrës për të përfunduar tani si arbitër kryesor në Superligën Shqiptare. Gjyqtari Jubica, i datëlindjes 08.11.1984, regjistron në arkivën e tij personale: 45 ndeshje në kategorinë e parë, 40 në të dytën dhe 6 ndeshje në superiore. Gjithashtu ka arbitruar në 27 ndeshje të Kupës së Shqipërisë.
Ka qenë viti 2004 kur Jubica do të fitonte të drejtën nga federata për të gjykuar ndeshjet e Kategorisë së Dytë. Ai deklaron se puna e tij sistematike tani është shpërblyer, duke mbërritur në nivelet më të larta të gjykimit në kampionatet shqiptare të futbollit. Në këtë intervistë, ai shprehet për vështirësitë e profesionit, cilësinë e arbitrimit në vendin tonë dhe për synimet e tij dhe objektivat e Kolegjiumit të Shkodrës, në të cilin ai bën pjesë. Për më gjerësisht ju ftojmë të ndiqni intervistën me arbitrin e talentuar shkodran, Ditmar Jubica:

Si ndiheni tashmë që u janë bërë dy vite arbitrim si arbitër kryesor në Kategorinë Superiore?
Kampionati shqiptar i kategorisë superiore është një eksperiencë relativisht e re për mua si arbitër, pasi më parë kam qenë në rolin e asistentit dhe si arbitër i katërt. Si çdo fillim, ndeshjet e para kanë pasur ndikimin e tyre në performancë dhe emocionet kanë qenë tepër të mëdha, pasi çdo sportistë kur kalon nga një nivel në një tjetër më të lartë, këtë ndryshim e shfaq në forma të ndryshme. Ne sportistët jemi gjithmonë përpara një testimi, fillimisht me veten se a do të mund të arrijmë gjatë zhvillimit të ndeshjes atë çfarë kemi realizuar gjatë javës në seancat stërvitore dhe më pas përballë shokëve me të cilët bashkëpunojmë, para dy ekipeve respektive dhe përpara një publiku në shkallët e stadiumit. Po të marrësh parasysh të gjithë këto faktorë, atëherë kuptohet se s’ka si të mos ndihesh ndryshe dhe që performanca jote të jetë në nivele të kënaqshme duhet të realizosh një përgatitje sistematike javore.
Fillimet e rrugëtimit tuaj si arbitër…
Ka qenë viti 2003 kur z. Astrit Dervishi, si përfaqësues i ligës amatore të Shkodrës, bëri një njoftim ku thuhej se kërkonte djem të rinj për t’u përfshirë si arbitra pranë kësaj lige. Z. Dervishi, si një ish arbitër i FIFA-s, me eksperiencën e tij na dha disa leksione shumë të vlefshme. Pastaj në vitin 2004 mora pjesë në një kurs kualifikimi në Federatën Shqiptare të Futbollit. Me përfundimin me sukses të këtij kursi fitova të drejtën të arbitroja në kategorinë e dytë, fillimisht si asistent. T’iu them të drejtën, dëshira ime që në fillim ka qenë të isha arbitër dhe jo asistent. Me fitimin e eksperiencës dhe me zhvillimin e kurseve kualifikuese kam arritur pikërisht këtu ku jam sot. Sinqerisht nuk ka qenë aspak e lehtë mbërritja në këto nivele të arbitrimit në Shqipëri. Po sigurisht puna ime edhe në vazhdimësi do të jetë përherë edhe më e madhe për të ecur ende më lart.
Jeni arbitri që keni arbitruar më shumë ndeshje këtë sezon futbollistik në Kategorinë e Parë. Cilat kanë qenë vështirësitë tuaja më të mëdha?
Para startimit të këtij edicioni futbollistik (2011-2012) u ngrit Komiteti i Arbitrave, i cili në përbërje të tij ka tre komisione përkatëse. Kryetar i këtij komiteti është z. Tahir Kastrati. Krahas këtyre nëntë specialistëve të arbitrimit është edhe z. Plarent Kotherja, si zbulues talentesh dhe përgjegjës për përgatitjen e arbitrave. Dhe unë jam një ndër arbitrat që kam arbitruar më shumë këtë vit në Kategorinë e Parë dhe kjo në sajë të disa faktorëve.
Sa i takon vështirësive, kuptohet që si në kategorinë e parë ashtu edhe në të dytën janë më të shumta se përshembull në superiore. Por ajo që i mposht të gjitha është pasioni i madh për të arbitruar. Vështirësitë janë të llojeve të ndryshme, duke filluar nga pozita gjeografike, rëndësia e ndeshjeve dhe vendi ku do të zhvillohen ato, lojtarët pjesëmarrës të ekipeve, atmosfera në shkallët e stadiumeve etj.
Sa janë kontestuar ndeshjet që ju keni arbitruar në këtë sezon të fundit?
Kuptohet që arbitri më i mirë është ai i cili gabon më pak, pasi nuk ka arbitër që nuk gabon. Ka pasur ndonjë reagim spontan pas ndonjë ndeshjeje, por asnjë rezultat ndeshjesh nuk është vendosur nga gabimet e mia apo të asistentëve të mi. Si rezultat i kësaj paraqitje të mirë kam arritur të arbitroj thuajse çdo javë.
Nga Kolegjiumi i Shkodrës jeni vetëm ju arbitër kryesor në Superiore. Shumë pak për një qytet me vlera të jashtëzakonshme sportive apo jo?
Po është e vërtetë që këtë sezon nga qyteti i Shkodrës vetëm unë jam miratuar arbitër kryesor në superiore nga lista e 18 arbitrave që kanë pasur të drejtë të arbitrojnë ndeshjet e kategorisë superiore. Të shpresojmë që edicionin që vjen të jemi të paktën dy arbitra nga Shkodra. Gjithashtu, në edicionin që sapo u mbyll kanë arbitruar edhe 5 asistentë nga Shkodra në këtë kategori.
Në përgjithësi cilat janë vështirësitë e arbitrimit në vendin tonë?
Kushtet në të cilat ushtrojnë profesionin e tyre arbitrat shqiptarë janë shumë të vështira dhe aspak të favorshme. Këto vijnë si një pasqyrim real i shoqërisë shqiptare. Të gjitha vështirësitë që i hasim në jetën tonë të përditshme do t’i gjeni edhe brenda profesionit tonë. Veçmas ajo që duket sheshit dhe që është shumë e rëndë është dhuna fizike dhe verbale. Sadoqë federata merr masa të herëpashershme sërish dhuna arrin të shfaqet dhe të mbizotërojë në shumë ndeshje të kampionatit shqiptar. Ky është tregues i qartë sesi akoma shoqëria jonë ruan të kultivuar dhunën dhe nuk ka kulturën e duhur sportive.
Sa përmbush ana financiare kontributin tuaj në futbollin shqiptar?
Më pëlqen ajo shprehja filozofike që thotë “pasioni nuk shpërblehet kurrë”. Në raport me vitin e kaluar ka një dyfishim të pagave të arbitrave në të gjitha kategoritë. Por kjo është vetëm një anë, e cila përmirëson më tej futbollin tonë, por jo e gjitha. Pasi sado t’ia rrisim pagesën një arbitri, sërish ajo do të jetë e pandjeshme dhe e pamjaftueshme nëse nuk arrijmë të përmirësojmë edhe komponetët e tjerë të lojës së futbollit.
Cila është stërvitja juaj gjatë edicionit?
Si tek çdo sportist edhe tek arbitrat kondicioni fizik është një pjesë e rëndësishme e përgatitjes komplekse që zhvillon arbitri. Para fillimit të edicionit ne marrim kalendarin e ndeshjeve dhe në bazë të tij zhvillojmë edhe përgatitjet tona. Stërvitjen vjetore mund ta ndajmë në tre linja të trasha: stërvitja para, gjatë dhe në mes të kampionatit.
Para fillimit të kampionatit merret një ngarkesë stërvitore, e cila duhet të shërbejë për të përballuar ndeshjet e gjithë edicionit; ndërsa gjatë edicionit (makrocikli) është standard, që do të thotë se ngarkesat ndryshohen në varësi të ditës që zhvillohet ndeshja, dëmtimeve të ndryshme, kushteve atmosferike, ngarkesës së marrë përgjatë ndeshjes etj. Në mes të kampionatit ndiqet pak a shumë parimi i fillimit të sezonit, ku duhet marrë një ngarkesë e lartë fizike në mënyrë që të mund të përballojmë pjesën e dytë të sezonit.
Sot me plot gojën mund të themi se arbitrat tanë, në aspektin fizik, janë të barabartë me arbitrat e vendeve me nivel më të lartë futbolli se i yni.
Gjendja aktuale e Kolegjiumit të Shkodrës dhe objektivat e tij.
Të qenit arbitër është një kënaqësi e papërshkrueshme dhe në të njëjtën kohë përgjegjësi e madhe. Po të kemi parasysh faktin që Shkodra është djepi i futbollit shqiptar dhe qyteti pionier i tij, përfaqësimi i këtij qyteti bëhet edhe më i vështirë. Duhet theksuar që Shkodra ka pasur arbitrin e parë ndërkombëtar në Shqipëri dhe kjo ka ndodhur në vitin e largët 1937. Ndërkohë kujtojmë që Federata Shqiptare e Futbollit është krijuar më 1930 dhe në vitin 1935 ka aderuar në FIFA.
Aktulisht në Kolegjiumin e Shkodrës bëjnë pjesë 30 arbitra: ku katër nga këta janë femra, shtatë prej tyre arbitrojnë si kryesorë, ndërsa të tjerët janë asistentë. Nga këto të fundit (asistentët) 5 janë të superligës dhe 6 të kategorisë së parë, ndërsa të tjerët arbitrojnë në kategorinë e dytë dhe në ligën amatore në Shkodër. Vitin që vjen shpresojmë që të rikthehet si arbitër në superiore, gjyqtari Pajtim Lapi.
Synimet dhe objekivat tuaja personale si arbitër...
Sporti ështa pasioni im dhe këtij pasioni jam munduar t’i shërbej në mënyrën më të mirë të mundshme. Është një kënaqësi shumë e madhe fakti që disa nga arbitrat e sotëm i ndiqja dikur në radio si dashamirës i futbollit, e ndërsa sot këto janë kolegë të mi.
Objektivi që kam pasur gjithmonë është të jem një ndër arbitrat më të mirë në vend dhe qershia mbi tortë do të ishte pjesëmarrja në një nga kompeticionet madhore evropiane ose botërore. Por për të shkuar deri tek këto objektiva duhet një punë kolosale dhe unë sapo kam filluar të ngjitem në një rrugë shumë të vështirë.
Intervistoi: Redan BUSHATI