Pas mbylljes së ndeshjeve të para të fazës gjysëmfinale të Kupës së Shqipërisë, klubet e Superiores i rikthehen sërish kampionatit, me ndeshjet e javës së 27-të, që janë programuar të luhen në tre ditë të ndryshme, të shtunën, të dielën dhe të hënën.

Kështu, të hënën në orën 17:45, e gjithë vëmendja do të jetë në stadiumin “Loro Boriçi”, ku Vllaznia do të presë Kastriotin e Emiliano Çelës.

Padyshim, kuqeblutë janë një nga skuadrat më të konsoliduara të Superiores, por megjithatë trajneri Elvis Plori duhet të punojë shumë me ekipin e tij për të lënë pas atë ndeshje shumë të kontestuar me Partizanin, pasi mund të ndikojë edhe te lojtarët në aspektin psikologjik, penalizimi që po u bëhet atyre.

Me Kastriotin duhet fitorja, qoftë edhe për të rritur futbollistët psikologjikisht, teksa të gjithë në Shkodër janë me sytë nga skuadra e tyre e zemrës. Kujtojmë se, shkodranët renditen në vendin e katërt me 39 pikë, 20 pikë larg kreut të renditjes, teksa përgjithësisht mund të kishin bërë edhe më mirë në këtë kampionat.

Ndërkohë, ndeshja e rradhës, Vllaznia-Kastrioti do të luhet ditën e hënë në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, duke nisur nga ora 17:45.

Maringlen ZHIVANI