Shqipëria e Rejës ka treguar forcë karakteri dhe përmirësim të ndjeshëm në krahasim me të shkuarën karshi Spanjës. Enrique nuk kishte kursyer asnjë yll për të qëndruar në stol ndaj kuqezinjve. Frika ishte aty për një humbje të thellë, por paraqitja e Kombëtares ishte më shumë sesa dinjitoze.

Për një moment dukej se edhe nëse ndeshja do të vazhdonte për 100 minuta të tjera nuk do të pësonim gol. Derisa mbërritëm te ajo dhuratë mes pasimit të gabuar të Kumbullës për te Bare. Ndërkohë në një intervistë për “Sport Ekspres”, trajneri i Skënderbeut dhe që dikur ka qenë nën drejtimin e Shqipërisë U-21, Skënder Gega, ka dhënë komplimentet e tij.

“Për mua kjo ka qenë ndeshja më e mirë e Shqipërisë në drejtimin e Rejës kundër një Kombëtare të madhe, për vetë lojën e Spanjës. Mënyra sesi u mbrojtëm të gjithë si skuadër duke filluar nga lojtarët përpara, ia bën Spanjës të vështirë. Duke mos harruar të sulmonim dhe të gjenim hapësirat bosh, por duke pasur edhe një Armando Broja që nuk kisha asnjë dyshim që do të luante në këtë mënyrë.

Cdo brez ka pasur lojtarë që bënin diferenca nga pjesa tjetër e grupit. Tani jemi në të tjera kushte dhe situata ku pjesa më e madhe e lojtarëve luajnë në kampionate të klasit të lartë. Nuk është asgjë absolute, por jemi para një të vërtete se Broja është një ambasador i yni. Është bashkuar rreth mënyrës së lojës tonë dhe tani është detyra e të gjithëve që të bëhet më shumë për të shfrytëzuar aftësitë e tij të jashtëzakonshme.

Në pjesën më të madhe të kohës Shqipëria funksionoi si grup, kishte balanca dhe mbulonin mirë njëri-tjetrin. Balliu është shumë positiv që tregoi atë nivel gjatë ndeshjes, por për mua është më i rëndësishëm grupi. Perfeksioni në futboll është e vështirë të gjesh, patjetër që ka punë. Pas ndeshjes mund të thuash “sikur”, vetëm shihni surprizat që po ndodhin në çdo ndeshje.

Me rëndësi është të jemi me këmbë në tokë dhe realist. Ndeshjen dje duhet ta shohim si hap positiv, pastaj fillon gara e vërtetë ku duhet t’i menaxhojmë ndeshjet pa presion, të mos jemi emocional, por thjesht të vëmendshëm”, tha Skënder Gega. /Sport Ekspres/