Kukësi ka mbyllur fazën përgatitore në Turqi dhe po vijon përgatitjet në kryeqytet, në pritje të startit të kampionatit, që i sheh verilindorët të impenjohen përballë Tiranës në stadiumin “Kukësi Arena”.

SuperSport ishte në kompleksin stërvitor të verilindorëve për të biseduar me trajnerin Skënder Gega, i cili komentoi ecurinë e përgatitjeve verore, merkaton, marrëdhëniet me presidentin Gjici dhe objektivat sezonalë.

Faza përgatitore – Koha ishte shumë e mirë, temperaturat po ashtu. Ekipi është stërvitur në maksimumin e duhur. Tre ndeshjet miqësore na krijuan idenë për çdo lojtar. E mira s’ka fund, por besoj se jemi gati.

Nisja e kampionatit – Ekipe të ndryshme në situata të ndryshme, Tirana ka bërë ndeshje në Europë dhe është e kolauduar. Ky është shorti dhe do mundohemi të jemi në 100%. Duhet të marrim maksimumin nga secili. Jam i sigurt që do vijojë dhe rritja e konsolidimi. Një pjesë e madhe e lojtarëve janë për herë të parë në Superiore. Jemi munduar t’i shkrijmë gjatë kësaj kohe. Dua që deri te Tirana të jemi të kompletuar.

Epoka Gega II – Njeriu ka ëndrra, por ndonjëherë nisin dhe mbesin përgjysmë. Unë kam ikur në javën e 11-të nga Kukësi megjithatë, duke ruajtur respektin dhe dashamirësinë për këtë ekip, erdhi edhe epoka 2. Urojmë mos të na ndodhin gjëra si më parë. Çdo njeri mëson dhe jam optimist se gjërat do shkojnë mirë.

Krahasimi i epokave – Kukësi i Kupave të Europës ishte solid, ndërsa më pas ndryshoi. Më pas erdhën emra, por pjesa më e madhe kishte probleme fizike dhe ajo ishte çka u solli probleme në javët e para. Nuk janë ndeshjet e para që të japin kampionatin apo të heqin nga objektivat.

Sezoni i ri i Kukësit – Nuk është sekret që Kukësi pretendon, nuk është dëshirë, por dhe investimi që është bërë, ne duhet të koordinohemi dhe të jemi në një faqe të gjithë së bashku. Duhet të funksionojë çdo levë. Patjetër që në fushë do shfaqen dhe shpresoj që gjërat që të shkojnë mirë, duhet të heqim presionin nga lojtarët dhe duhet të shohim ndeshje pas ndeshjeje.

Titulli objektivi i Kukësit? Një ditë pas fazës nuk besoj se mund ta vëmë veten aty. Ka ekipe që fillojnë me vrull në raste të shumta, si edicionin e shkuar. Kjo është e gjithë ideja, duhet të menaxhojmë situatat, të marrim 100%, të jemi të koordinuar. Jam i surprizuar për mirë se skuadra ka qenë korrekte në fazën përgatitore.

Efekti Gjici – Safet Gjici është pak më i drejtpërdrejtë se të tjerët. Atë që mendon e thotë dhe nuk i përsëriten gjërat. Unë kam një farë biznesi që më intereson që gjerat të shkojnë sa më mirë. Është normale që një president që investon, interesohet për të dhe do një feed-back. Mua më pëlqejnë gjërat e hapura dhe secili e di pozicionin e vet. Gjici është një mbështetës i madh i Kukësit, por kam eksperiencë në Superiore dhe jam munduar t’i ruaj raportet me të gjithë presidentet. Kam ardhur me qejf këtu sepse Safeti është ai që është dhe mua më pëlqen ashtu.

Merkato – Në merkaton verore ka shumë lëvizje, por deri në fund ke shpresë se mund të marrësh atë që do. Për fat të keq na kanë dalë disa lojtarë nga premtimi. Në sekondat e fundit na kanë sjellë një mesazh që kam firmosur diku tjetër. Është normale sepse është interesi i gjithsecilit. Duhet që këta që kemi të justifikojnë veten dhe të jenë në nivelin e pritshmërive. Kemi punë për të bërë.

Dhuratat e fundit – Nuk do ishin dhurata për Gegën, por për Kukësin. Kjo është punë e përbashkët. Është sport kolektiv. Deri në ndeshjen me Tiranën do konsolidohemi dhe deri me Tiranën duhet të konsolidohemi. Gjatë kësaj kohe klubi synon që të përforcohet.