U duk se Skënderbeu do të dhuronte surprizën e fundit në Europë, pasi e ka nisur në avantazh ndeshjen në Zvicër ndaj Young Boys, por fati nuk ishte me korçarët. Jo vetëm që epërsia e bardhekuqëve zgjati vetëm 4 minuta, por vendasit kanë menaxhuar të përmbysin gjithçka dhe të fitojnë takimin in-extremis, duke shënuar golin e fitores në minutën e 5’ shtesë, ndonëse arbitri kishte akorduar vetëm 4’ të tilla. Një rezultat që nuk ndryshon asgjë në eliminimin e korçarëve nga UEFA Europa League, me bardhekuqtë, të cilët e kanë mbyllur aventurën e tyre në fazën e grupeve me 5 pikë të grumbulluara në 6 ndeshje, duke u renditur në vend të fundit të klasifikimit.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër, Partizan Beograd, u kualifikua për në fazën tjetër, ndonëse u shkërmoqën me rezultatin 4-1, nga Dynamo Kyiv i vendit të parë me 13 pikë. Pas një pjese të barabartë, jo vetëm për rezultatin e bardhë 0-0, por gjithashtu edhe për lojën e dy skuadrave, ndeshja është zbërthyer në gjysmën e saj të dytë. Ishte pikërisht Beneyam në të 51’ që nis një kundrasulm të shpejtë për Skënderbeun. Pikëirsht nga gabimi i tij para portës, është Gavazaj ai që përfiton, duke dërguar topin në rrjetë me nxitim dhe saktësi, për të kaluar Skënderbeun në avantazh 0-1. Një epërsi e bardhekuqëve që ka zgjatur vetëm 4 minuta, pasi në të 55’, vendasit kanë barazuar me Hoarau. Ky i fundit, pasi është asistuar nga Aebischer, nuk e kishte të vështirë të dërgojë topin në rrjetën e portës korçare, pasi fiton më parë duelin me kokë ndaj Vangjelit, e më pas kundër Shehit.Më pak se një minutë nga goli i barazimit, korçarët kanë sërish të gjitha shanset për të kaluar në epërsi. Pikëirsht në të 56’ Muzaka shpërdoron një shans të artë për të shënuar golin e fitores, kur ishte shumë pranë portës, por gabon në finalizim. Nga ana tjetër, Shehi bën heroin në të paktën dy episode vendimtare, duke ndalur tentativat e zviceranëve, ndërkohë që në të 75’ korçarët pretendojnë për 11-metërsh, kur Nimaga pengohet në zonë, por arbitri bën shenjë që loja të vazhdojë. Tronditja e madhe për korçarët ka mbërritur përtej limiteve të rregullta të përcaktuara nga vetë arbitri, pasi Assale i ka dhënë fitoren vendasve me një gol të shënuar në minutën e 5’ shtesë, ndërkohë që ishin akorduar vetëm 4’ minuta shtesë nga gjyqtari.