Është mbyllur me fitoren e Skënderbeut supersfida e javës së 19-të, që korçarët kanë diskutuar në shtëpi ndaj Flamurtarit.

Një gol i Muzakës, mes rrëmujës në zonën vlonjate në minutën e 83’ i kanë dhuruar vendasve 3 pikët që sipas të gjitha gjasave kanë vendosur gjithashtu edhe fatin e titullit kampion, që duket se do të rikthehet në duart e korçarëve.

Veç gëzimit të golit, festimet janë pasuar edhe me momente ankthi, veçanërisht për mbrojtësin Osmani, që është parë të nxitojë drejt pankinës, aty ku ambulanca nxitoi të japë ndihmën e shpejtë për një të afërmin e futbollistit që ka shfaqur probleme në ato momente.

Pas fitores së sotme, skuadra e Skënderbeut shkon në kuotën e 43 pikëve, duke diktuar edhe më fuqishëm këtë kampionat. Me një epërsi prej plot 11 pikësh nga vendi i dytë ku ndodhet pikërisht Flamurtari, bardhekuqtë kanë mbërthyer me një dorë trofeun.

Nga ana tjetër, skuadra e Flamurtarit ka menaxhuar për pjesën më të madhe të ndeshjes të mbajë të paprekur portën, edhe pse iu imponua lojës së Skënderbeut, duke u kundërpërgjigjur vetëm me gjuajtjet e Alves, gjithsesi pa rezultat.

Tashmë vlonjatët rrezikojnë edhe vendin e dytë në klasifikim, me ndjekësit që ndodhen shumë pranë./telesport/