Skënderbeu ka mbyllur sot, në ambientet e “Tropikal Resort”, përgatitjet për takimin e javës së 18-të të Superiores, që do ta luajë të dielën ndaj Vllaznisë, në “Loro Boriçi”, në orën 13:00.

Ilir Daja dhe stafi teknik u ka dhënë këshillat e fundit lojtarëve në prag të transfertës në fjalë. Trajneri i kuqebardhëve do të ketë në dispozicion grupin e plotë të lojtarëve, përveç Sahitit.

Ky i fundit është rikuperuar plotësisht dhe sot ka zhvilluar normalisht stërvitjen, por nuk do të rrezikohet me të, duke e aktivizuar në Shkodër. Muzaka është rikuperuar plotësisht, po ashtu, ndërkohë që stafi do ketë në dispozicion dhe Marko Radas.

Kroati ka shlyer me gjobë gjysmën e dënimit të vendosur nga Disiplina dhe është gati për Dajën. Me grupin është prezantuar dhe Kabba Sambou, i cili do të zhvillojë testet mjekësore dhe më pas do të firmosë kontratën e re me drejtuesit e klubit korçar.

Gjatë orëve të mbrëmjes, Skënderbeu do të udhëtojë drejt kryeqendrës së veriut dhe do të akomodohet në Shkodër, në prag të ndeshjes.