Pasditen e sotme janë luajtur ndeshjet e javës së 14-të të kategorisë së parë dhe në Grupin A, përveç humbjes së Vllaznisë B ndaj Dinamos me rezultatin 0-2 në Tiranë, ka patur edhe rezultate të tjera interesante.

Vëmendja ka qenë e përqendruar tek ndeshja e luajtur në Lezhë në mes Besëlidhjes dhe Egnatias. Goli i serbit Bajiç me 11-metërsh në pjesën e parë, i ka mjaftuar lezhjanëve për të marrë një trepikësh me shumë vlerë që do t’i ngjisë ata jo pak në renditje.

Por sakaq, me këtë ndalesë të Egnatias së vendit të dytë, Besëlidhja “i ka bërë nder” edhe Kastriotit të vendit të parë. Ky i fundit do të luajë nesër ndaj Korabit në Peshkopi.

Burreli ndërkohë ka fituar një ndeshje shumë të rëndësishme në Kavajë ndaj Besës ndërsa takimi Tërbuni- Erzeni i luajtur në Pukë, është ndërprerë në minutën e 21-të për shkak të reshjeve të dendura të shiut (në ato momente rezultati ishte 2-1 për shijakasit).

Ndeshjet

Tërbuni-Erzeni 1-2 (E ndërprerë në minutën e 21)
9′ Beci / 5′ Dakavelli, 14′ Xhemalaj

Besa-Burreli 0-1
13′ Beçka

Besëlidhja-Egnatia 1-0
Bajiç ’39 (11-m)

Dinamo-Vllaznia B 2-0
3′ Muça, Lika 75′

Të hënën

Korabi-Kastrioti ora 14:00