Skënderbeu pret afrimet e reja me të cilat do të hyjë në garë me objektiv kalimin e menjëhershëm në elitën e futbollit shqiptar. Me afrimin e një pjese të mirë të lojtarëve kryesorë, duket se Skënderbeu ka bërë gati boshtin për sezonin e ardhshëm, por ende nuk është një ekip i kompletuar maksimalisht.

Ende bardhekuqtë nuk kanë marrë formën e tyre të plotë, ndaj për këtë trajneri Migen Memelli pret afrimet e reja. Në horizont shihen edhe dy afrikanë të tjerë, që pritet t’i bashkohen ekipit bardhekuq. Duket se Skënderbeu është kthyer dukshëm në një koloni afrikane. Edhe për këtë, prurjet e reja priten me ngulm në kampin korçar. Në kushte të tilla, dy janë afrimet e prenotuara nga drejtuesit, që do të bashkohen shumë shpejt me Skënderbeun.

Bëhet fjalë për sulmuesin Leonar Uoso, i cili është zbuluar ekskluzivisht si afrim nga “Panorama Sport”, por edhe një tjetër mesfushor që do të forcojë repartin më të dobët të korçarëve. Bëhet fjalë për një tjetër ganez që ka bindur korçarët në bazë të të dhënave të tij dhe luan si ekran në mesin e fushës. Burime në klub bëjnë me dije se bëhet fjalë për Derik Frimpong, mesfushorin 22-vjeçar, por ende nuk dihet shumë për të kaluarën e tij.

Lojtari është në një akord me Skënderbeun edhe pse ende nuk ka mbërritur në Korçë, por që shumë shpejt së bashku me Uoson do të bëjnë prezantimin pranë ekipit. Frimpong plotëson një repart që është tërësisht në emergjencë dhe për këtë arsye drejtuesit bardhekuq duken më të çliruar. Përtej këtyre afrimeve, korçarët janë duke menduar edhe përforcime të tjera për t’i dhënë trajnerit Memelli një ekip shumë herë më kompetitiv për të arritur objektivin sezonal.