Me një afrim të mundshëm të Esat Malës në mesin e fushës, por ndoshta edhe me një afrim tjetër në majën e sulmit, Vllaznia mund të konsiderohet si e kompletuar. Edhe pse merkatos nuk i dihet asnjëherë dhe deri në fund ajo qëndron e hapur, duket se në Shkodër do të mjaftohen me këto dy prurje.

Në njëfarë mënyrë, Josa ka luksin që tashmë të ketë një ekip, ku nuk mungojnë cilësitë dhe alternativat, gjë që ka munguar gjatë sezonit të kaluar. Ajo që i druhet më së shumti disi trajneri Josa, është harmonizimi i grupit në 100% në këto ditë të mbetura.

Pa frikë mund të thuhet tashmë se Vllaznia, të paktën në letër, është mes favoritëve të këtij sezoni. Pothuajse çdo rol është i dubluar nga porta në sulm, ku është e vështirë për të zgjedhur një formacion fiks. Në një situatë të tillë, mbetet për t’u parë se cili do të ketë aftësinë për t’u përshtatur më mirë me grupin, në mënyrë që të “gradohet” si titullar.

Porta dhe mbrojtja duken të “fiksuara”, me Zogoviç që për momentin nuk i rrezikohet vendi, ndërsa në prapavijë Juriç dhe Bulatoviç janë të sigurtë në rolet e tyre. Nga krahët, kapiteni Gurishta me Hakajn duken të avantazhuar në skuadrën aktuale, edhe pse alternativat nuk mungojnë.

“Lufta” më e madhe do të jetë në mesin e fushës, aty ku për tre pozicione luftojnë shumë futbollistë. Momentalisht, duken të avantazhuar Boshnjaku, Marku dhe Jonuzi, por Heriç, Pjeshka dhe Alivoda, do të luftojnë fort për një vend titullari.

Sa i përket sulmit, zona më e “nxehtë” është maja e tij, me dy futbollistë momentalisht që do luftojnë për një vend. Ndoshta me ardhjen e një sulmuesi tjetër, edhe pse nuk është konfirmuar ende, pritet të jetë ai lideri në këtë repart, ndërsa Nunesh me Aralicën janë alternativa të vlefshme dhe që japin garanci.

Sa u përket krahëve, Liridon Latifi duket i sigurt në të majtën e sulmit, ndërsa mund ta zëvendësojë Çoba. Në krahun tjetër, Kruja me Hoxhajn duken në balotazh për një vend në të djathtë, me Josën që i ka provuar nga një herë të dy në këto role në ndeshjen ndaj Kraiovës në Conference League.

Në ndeshje të ndryshme apo edhe me një skemë tjetër, titullarë mund të “gradohen” Kristijan Vulaj apo edhe Esat Mala, teksa ky i fundit mbetet për t’u konfirmuar ende zyrtarisht. Në fakt, nuk përjashtohet mundësia që Mala të luajë si titullar në të djathtën e sulmit në rast të një afrimi të mundshëm të tij, por mbetet për t’u parë çdo gjë në vazhdim.

Megjithatë, deri në nisjen e kampionatit mund të ndryshojnë shumë gjëra, por e rëndësishme është që Vllaznia për momentin duket e “blinduar” me futbollistë, pa harruar se ka në organikë edhe futbollistë të tjerë, që kanë ardhur nga moshat.
Maringlen ZHIVANI