Shqipëria do ta luajë ndeshjen e fundit në grupin e saj, në kuadrin e Ligës së Kombeve, më 17 nëntor, ora 20:45, në “Loro Boriçi”. Shanset për t’u kualifikuar në grupin 1 të Ligës C për kuqezinjtë janë minimale, sepse për momentin janë të fundit, me 3 pikë, aq sa ka edhe Skocia.

Kryesuesit e Izraelit, me 6 pikë aktualisht, duken më të favorizuar. Sidoqoftë, Christian Panucci dhe të tijtë do të tentojnë t’i “kthejnë borxhin” Skocisë pas dhjetë ditësh, duke e mundur atë në kryeqendrën e veriut, Shkodër. Humbja e freskët 2-0 me këtë kundërshtar ende djeg.

Ndërkohë që presim të mësojmë lojtarët, që do të ketë “nën armë” për këtë ballafaqim Panucci, kolegu i tij skocez, Alex McLeish, e ka publikuar edhe listën e futbollistëve që do të grumbullojë për sfidën me kuqezinjtë, por edhe atë me Izraelin, më 20 nëntor, në Glasgou.

Bien në sy mungesat e dy sulmuesve të rëndësishëm për kombëtaren skoceze: Leigh Griffiths (Celtic) dhe Steven Naismish (Heart). Ky i fundit na shënoi njërin nga dy golat në Glasgou, në ndeshjen e shtatorit.

Si objektiv minimal për Shqipërinë, tashmë mbetet të evitojë vendin e fundit në grup, çka e rrezikon të zbresë në Ligën D për edicionin e ardhshëm të këtij kompeticioni. Për këtë janë të nevojshme 3 pikët ndaj Skocisë, më 17 nëntor, në Shkodër./telesport/