Tirana është skuadra e vetme nga Kategoria Superiore që kaloi turin e parë të kompeticionit ku merrte pjesë, në Conference League ndaj Dinamo Batumit (Gjeorgji). Partizani u eliminua në turin e parë të Championsit nga Bate Borisov (Bjellorusi). Vllaznisë nuk i mjaftoi fitorja minimale në ndeshjen e kthimit me Linfield (Irlanda e Veriut), pasi ishte mundur 3-1 në takimin e parë në Conference League.

Ndërkohë që Egnatia, në të njëjtin kompeticion, u eliminua pas goditjes së 11-metërshave nga Ararat (Armeni). Pasi të dyja ndeshjet u mbyllën në barazim. Rezultatet e skuadrave nga kampionati shqiptar, ishin larg pritshmërive. Pavarësisht se besimi ishte i madh se vera do të ishte e gjatë për ekipet tona në kompeticionet e UEFA-s.

Nga vëzhgimi i bërë nga SuperSport, skuadrat e vetëm dy vendeve nuk arritën të kalonin asnjë tur në kompeticionet e UEFA-s. San Marino dhe Gjibraltari janë dy vende ku luhet një futboll amator në nivel organizimi. E deri diku mund të konsiderohet e logjikshme që skuadrat nga këto vende nuk bënë dot mirë në arenën ndërkombëtare.

Një situatë e tillë natyrisht që nuk le një shije të mirë, kur shihet se vetëm dy vende, që kanë një futboll amator, janë poshtë Shqipërisë. Kompeticionet e UEFA-s janë burimi ndoshta më i rëndësishëm i të ardhurave për klubet tona, por dhe ato të rajonit. Me vetëm një skuadër që bën mirë në Europë, Shqipëria ndodhet në një pikë jo pozitive.

Situata duket e ngjashme dhe në vendet fqinje, pasi ashtu si Shqipëria, edhe Kosova “krenohet” me Dukagjinin. Që është e vetmja skuadër që kaloi raundin e parë. Duke eliminuar skuadrën e Europe nga Gjibraltari, një kundërshtar gjithsesi modest.

Në të njëjtat kushte është dhe Maqedonia e Veriut. Që mban lart flamurin me Shkupin, që arriti të kualifikohej pa vështirësi kundër Hegelmann nga Lituania. Vetëm një skuadër arriti të kalonte turin e parë edhe nga nga Mali i Zi, një nga Lituania dhe një nga Uellsi. Nga të gjitha shtete e tjera nga vendi i 30-të deri në vendin e 55-të të UEFA-s, u kualifikuan nga dy ose më shumë skuadra.

Në raundin e dytë të Conference League marrin pjesë dhe skuadrat e eliminuara nga turi i parë i Championsit si dhe ai paraeliminator. Çka do të thotë se Partizani, Ballkani dhe Struga do të vijojnë të angazhohen në Europë. Në këtë raund, nga Kosova nis rrugëtimin e saj dhe Drita që do të luajë me Viktoria Plzen.

Duhet kujtuar se edicionin e shkuar fituesja e Kupës së Shqipërisë e nisi aventurën e saj në raundin e dytë, diçka që nuk ndodhi në këtë sezon. Pasi është Drita e Gjilanit që e nis rrugëtimin e saj nga raundi i dytë. Tregues se sot futbolli i Kosovës ka bërë një progres të jashtëzakonshëm, edhe pse federata më e re e krijuar. Sezonin e shkuar, Ballkani kampion mori pjesë në grupet e Conference League.

Kosova ndodhet në vendin e 33-të, duke hedhur hapa përpara, ndërkohë që Shqipëria lë pas vetes vetëm 6 kampionate te tjera. Saktësisht ato të Uellsit, Gjibraltarit, Maqedonisë së Veriut, Andorrës, Malit të Zi dhe San Marinos, që pozicionohet i fundit.