Shqipëria i dha fund ëndrrës për kualifikim në Botëror dhe humbja në Varshavë, ka lënë një shije të hidhur te Sokol Kushta. Në një intervistë të gjatë për “Panorama Sport”, Kushta u shpreh se u gabua në formacion dhe shtoi se ishte ndeshje jetë a vdekje, e jo ndeshje ku mund të eksperimentohej ashtu siç ndodhi në Varshavë.
Një humbje në Poloni që na eliminon nga ëndrra për Botëror. Si e ka parë Kushta ndeshjen e Shqipërisë me Poloninë?
Tani, këto janë ndeshje specifike ku mundi dhe sakrifica e një kohe të gjatë vlerësohen për një ditë. Dua të them se, në qoftë se një pjesë e tifozëve ose grupeve të tjera që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me kombëtaren, domethënë jo stafi i ngushtë, ishin të gjithë optimistë dhe deri këtu jemi në rregull, pasi të gjithë ne dëshironim një gjë që për shumë kohë dukej e pamundur. Vjen puna tek një person që është trajneri dhe duhet të ndërlidhë të gjithë pjesën përbërëse të ekipit për një ndeshje dhe unë them se gaboi. Është e vërtetë që disa persona nuk e pëlqyen këtë. Disa thonë se na çoi Silvinjo aty, na çoi këtu.
E para e punës, Silvinjo për atë punë erdhi. Për atë punë u pagua, për atë punë u respektua. Kjo s’do me thënë se na çoi dhe s’duhet. Pse kur pati suksese dhe u mirëpagua ne e lavdëruam, dhe tani që s’na çoi, ne s’kemi të drejtë ta kritikojmë? Këto janë mendime që mund t’i kenë disa persona. Në fund të fundit, ai post, kushdo që të jetë aty do të kritikohet dhe lavdërohet sepse në fund për atë paguhen dhe mirëpaguhen. Ne këtu duhet të shikojmë me objektivitet dhe të analizojmë se ku gaboi ky person. Unë, si sportist, si trajner, kam mendimin tim dhe nuk do të thjeshtoj dy gjëra.
Një orë e gjysmë para ndeshjes kam qenë i ftuar dhe dhashë një intervistë që mund të shihet në “YouTube”, ku shpreha qartë se personi që është para, Bajrami, nuk ishte për të luajtur aty. Ai nuk është lojtar i keq por për momentin nuk duhet të luante. Për momentin nuk duhet të lëvizë, pasi kur diskutojmë, nuk duhet të luajë Sokoli, Agroni dhe na thonë “ti çfarë ke, ai ka 80 ndeshje”. Po jo more zotëri. Janë 45 minuta lojë aktive, mund të shpërblesh dhe të kënaqësh një popull të tërë.
Lojtarët që nuk kanë luajtur për kohë të gjatë nuk mund të jenë kaq aktivë sa, për shembull, për ta marrë edhe më konkrete, siç mund të ishte Mehmeti ose siç mund të ishte Uzuni përpara Muçit. Ramadani ka lënë nusen shtatzënë, gati për të lindur, ka ardhur, por nuk është kjo arsyeja pse duhet të luajë por, Ramadani e meriton sepse është ndër më të mirët dhe notën më të mirë në Serinë A. Nëse e merr me statistika dhe dyshja me Shehun do të ishte motor i jashtëzakonshëm sepse këtu ishte edhe Laçi.
Për mua ky duhej në mesfushë qoftë me Muçin, me Uzunin apo Mehmetin. Loja është shumë e gjatë dhe ndërrimet janë pjesë e lojës. Ekipi do të ishte më i plotësuar. Kam shprehur disa. Thomas Strakosha është portieri shumë i mirë. Por, në ajër ai ka defekt dhe nëse Strakosha do të ishte mirë në ajër, do të fitonte ekipi. Këto i kam thënë para ndeshjes sepse pas ndeshjes kritikojnë të gjithë dhe të gjithë bëhen pedagogë.
Problemi nuk është i jonë dhe po të shikosh intervistat e mia dhe të shumë ish-lojtarëve të kombëtares, jemi, po thuajse dashje-padashje, në uniformë që duhet të luajë ky, ky, ky… pothuajse jemi të gjithë në një mendje. Dreqi ta hajë, ti merr lexo siç është në të gjithë Europën dhe në të gjithë botën, njerëzit emblemë dhe ato që janë sot trajnerë, nuk flasin kot. Më vjen çudi dhe inat për gjëra të vogla që konkretisht loja nxori. Ne do ishim të kualifikuar.


