Zor se gjen një shkodran pa sensin e humorit. Vioresin Sinani është i kujdesshëm në vlerësimin që bën për tri skuadrat e kreut. Ai flet me superlativa për sulmuesit e Teutës, Partizanit dhe Kukësit, por nuk ngurron edhe të lëshojë ndonjë batutë.

“Kur shoh tabelën e golave, bindem që nuk paska qenë edhe aq e lehtë si punë kjo e jona”, thotë ish-kapiteni legjendar i Vllaznisë.

“Mua më pëlqejnë të dyja skuadrat. Nuk mund të thuash sot se Partizani me Kukësin dhe Teutën nuk kanë sulmues të mirë. Kanë më të mirët në qarkullim. Shkurtaj me Rexhinaldon, të dy në një skuadër, është luks i madh. Nga ana tjetër, edhe Asani, Hebaj, Bardhi kanë cilësi të shkëlqyera. Bushiç dhe Latif janë gjithashtu të fortë.

Tani e di gjithë Shqipëria që me shumë gjasa një nga këto tri ekipe do ta fitojë titullin, por se përse shënojnë kaq pak, nuk di ta them me saktësi për të qenë i sinqertë. Mbase ka ndryshuar disi filozofia, mbase është edhe çështje periudhash dhe ndoshta me kalimin e javës golat do të shtohen.

Nuk e di… Është e çuditshme, me thënë të vërtetën, të shohësh që dy ekipet e para kanë nga një gol për ndeshje, por kur vështroj tabelën e golave, atëherë ndihem më krenar se kurrë.

Nuk paska qenë punë edhe aq e lehtë të bësh gola, madje në fusha ku edhe të zhytej këmba në baltë…”, thotë ish-bomberi shkodran, Vioresin Sinani./panorama-sport/