Ditët e fundit ka plasur debati në mes dy tifozërive, asaj të Vllaznisë dhe Erzenit. Shkodranët janë të mendimit se shijakasit nuk mund të maten prej tyre, pikërisht për shkak të historisë, trofeve e shumë gjëra të tjera. Tifozët e Erzenit nuk janë dakord me këtë gjë dhe në fakt pas fitores të skuadrës së tyre ditën e shtunë, “kanë marrë zemër”.

Interesant është fakti se këto dy skuadra do përballen me njëra-tjetrën sërish në një tjetër supersfidë. Por këtë herë jo në futboll. Në kuadrin e javës së dytë të fazës së dytë të kampionatit kombëtar të volejbollit për meshkuj, në Shijak do të përballen Erzeni dhe Vllaznia.

Ashtu si në kampionatin e futbollit, edhe këtu, këto dy ekipe janë më të mirat dhe kryesojnë renditjen. Kuqeblutë e trajnerit Ermal Kraja kanë pikë të barabarta me kampionët në fuqi të Erzenit dhe përballja direkte mund të vendosë shumë gjëra për ecurinë e mëtejshme.

Skuadra shkodrane i ka fituar të nëntë ndeshjet e luajtura deri më tani dhe tani synon të dhjetën, për të vazhduar e vetme kryesimin e renditjes sepse synojnë titullin e dytë kampion.
© shkodrasport.com