Mbështetja për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri po vjen nga çdo anë e globit dhe sporti ndërkombëtar është bashkuar me nisma nga më të veçantat. Por Liga Profesioniste Rumune e Futbollit ka kaluar çdo lloj parashikimi. Ajo ka vendosur të bëhet pjesë aktive e mbledhjes së fondeve për të ndihmuar viktimat e prekura nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp, ajo ka bërë të ditur se në ndeshjet e javës së 20 të kampionatit, në të gjitha stadiumet e futbollit do të shpalosej një parullë e madh që ftonte tifozët të bëheshin pjesë e solidariteti dhe të bënin donacionet e tyre për të ndihmuar viktimat.

“Shqipëria u godit nga një tërmet shkatërrimtar më 26 nëntor. Si pasojë e kësaj ngjarje tragjike, 51 njerëz humb jetën dhe dëmet materiale janë të mëdha.

Pas kërkesës së Ambasadës Shqiptare në Bukuresht, nëpërmjet zëvendës ambasadorit Jonian Molla, Liga e Futbollit Profesionist vendosi të marrë pjesë në fushatën e solidaritetit që ka filluar për të ndihmuar të pastrehët.

Ndaj, për të rritur ndërgjegjësimin e publikut, Liga vendosi që të popullarizojë këtë iniciative fisnike në ndeshjet e javës së 20, duke shpalosur një parullë me mesazhin “Lutuni për Shqipërinë. Solidaritet. Dhuroni në https://e-albania.al/donate/”.

Gjithashtu, për të gjithë ata që e kanë të mundur, kjo fushatë dhe mesazh mund të bëhet publik nëpërmjet kanaleve të tyre të komunikimit në rrjete sociale”, shkruante Liga në lajmërimin publik, duke u bërë pjesë e kësaj nisme solidaritetit që do të kalojë në të gjitha stadiumet rumune. /vipsport/