Ndeshja që do mbyllë edhe llogaritë e javës së 6-të të Superligës është takimi mes Tiranes dhe Partizanit. Derbi i kryeqytetit do luhet në orën 19:45 në “Air Albania”. Një takim që për momentin gjen më në formë skuadrën bardheblu të Tiranës. Por, ky duel mbart një histori të pasur dhe është një pjesë e artë e futbollit shqiptar.

E si në çdo duel edhe futbollistët shkodranë kanë lënë shenjën e tyre në derbin e kryeqytetit. Si me “demat e kuq” ashtu edhe me bardheblutë, shkodranët janë ata që kanë vendosur shpesh me golat e tyre këtë derbi, sidomos pas viteve 2000 ku u shtuan edhe lëvizjet drejt ekipeve të Tiranës.

Një dyshe që tifozët e Tiranës nuk e harrojnë kurrë janë dy “bomberat” Sinani-Salihi. Të dy “ujqërit” e golit e kanë vendosur derbin në të shkuarën. Madje edhe duke fituar titullin kampion për Tiranen. E ndërsa në vitet e fundit kanë qenë emra si: Lika, Vucaj apo edhe Hasani pjesë e Tiranes, por vetëm Edon Hasani është ai që ka provuar shijen e golit në derbi.

Tek të kuqtë gjithmonë ka pasur dashuri për futbollistët nga Shkodra. Në sezonet e fundit Xhevahir Sukaj u shndërrua në liderin e Partizanit. E ku ndëshkonte shpesh në derbin kundër Tiranes. Madje u shndërrua në makthin e bardhbluve. Trashëgiminë e tij e vijoji suksesshëm një tjetër “sallaks”, Erald Çinari. Në derbin e para 3 sezoneve shënonte 2 herë ku i jepte titullin kampion “demave” pas 26 vitesh.

Një tjetër shkodran që ka provuar shijen e golit në derbi është edhe Rubin Hebaj. Sulmuesi shtatlart ndëshkonte me një dopietë Tiranen në vitin e titullit të Partizanit. E një derbi i mbushur me histori shkodrane e sonte për herë të parë pas shumë vitesh asnjëri nga ekipet nuk ka një lojtar nga Shkodra në gjirin e tyre.

Tashmë na mbetet të presim në darkë për spektaklin e rradhës në derbin e kryeqytetit. E nuk i dihet, mund të ketë protagonistë të tjerë përveç futbollistëve shkodranë.
Endri ÇINARI