Për gati 20 vite dha një kontribut të madh në gazetarinë sportive. Duke punuar me shumë pasion dhe përkushtim, njëkohësisht edhe me profesionalizëm, Mejdan Zhivani arriti të shkruajë emrin e tij në shumë lajme, emisione, kronika e dokumentarë.

E bëri çdo gjë mirë, por deri në gjysëm të rrugës. Për fat të keq. U nda nga familja, ne, shokët e miqtë e tij, shumë herët, në moshën 38 vjeçare. Pikërisht atëherë kur ndoshta ishte në majë të karrierës së tij. Megjithatë emrin e mirë e ka lënë pas. Dhe jo vetëm si baba i mirë, bashkëshort, djalë e shok i mirë, por edhe si një gazetar shumë serioz dhe profesionist.

Kur e kishim mes nesh, nuk kishte shans që të mos mblidheshim më 28 qershor për të pirë një kafe sëbashku. Një ditë që përkon me ditëlindjen e tij. Sot nuk do të jemi bashkë me Mejdanin, por sot do mundohemi të bëhemi bashkë me Gacin, Adin, Senadin, Gjonin, Mondin e të tjerë kolegë tanë, e secili prej nesh do ta kujtojë atë që i bashkonte të gjithë.

Sot është dita e lindjes së tij dhe Mejdani do të duhej të festonte 44 vjetorin e lindjes, por prej 5 vitesh nuk na e jep këtë mundësi sepse nuk e kemi më nes nesh. Na ka lënë në një moshë shumë të re, megjithatë ne do të vazhdojmë ta kujtojmë.

Por edhe nëse nuk duam, do të kujtohet për kronikat shumë interesante që bënte në RTSH, për transmetimet radiofonike në Radio Tirana e Radio Shkodra, për kronikat në TV1 Channel, për emisionet sportive në TV Rozafa, për shkrimet e përditshme në “Metropol Sport” apo dhe kontributin e madh në gazetën “Vllaznimi Sportiv”.
Gjergj KOLA