Bundesliga ka ulur sot siparin e saj, duke u bërë kampionati i parë madhor europian që u mbyll në fushën e lojës pas ndalesës të pandemisë.

Në pritje për të mësuar Nëse Verder Bremen do të mbijetojë në elitë, janë dhënë verdiktet e tjera në fushën e lojës dhe në përgjithësi mund të cilësohet sukses mbarëvajtja e aktivitetit në këtë periudhë krize.

Shumëkujt nuk i kanë pëlqyer stadiumet bosh, por presidenti i Ligës Gjermane, Kristian Saifert, ka paralajmëruar që tani tifozët që të mësohen me idenë se do të ndjekin ndeshjet nga TV, pasi edhe fillimi i sezonit të ardhshëm do të ishte njëlloj, pa mbështetës në shkallët e stadiumeve, duke shpresuar që pasi situata e krizës së COVID-19 të kalonte, gjithçka t’i afrohej normalitetit.

“Ky është një moment special, por edhe një moment i çuditshëm. Askush nuk ka përjetuar ndonjëherë një sezon si ky. Pa spektatorë, pa festime, pa vërshëllima, kjo është një atmosferë e cuditshme”, pranoi ai. “Por fakti që ne sot mbyllim kampionatin është një arritje e madhe.

Bundesliga ishte kampionati i parë që rifilloi. Po, duket ndryshe dhe ndjesitë janë të ndryshme. Por kjo ishte e vetmja Bundesligë e mundshme për t’u realizuar. Mbështetni ekipet tuaja përsëri në sezonin e ardhshëm. Sezoni i ri do të duket su ky i fundit të paktën në fillimin e tij”, ishte paralajmërimi i Saifert për tifozët. /vipsport/