Mundja në Shkodër dhe sidomos stili i lirë ka dhuruar me dhjetra kampionë si individ por edhe trofe për ekipin e Vllaznisë. Njëri nga sportistët më të njohur ka qenë edhe Hysen Vejuka, dy herë kampion i Shqipërisë dhe fitues i disa trofeve të tjerë.

Prej gati 10 vitesh këtë kampion nuk e kemi më mes nesh, por sot është momenti për ta kujtuar sërish sepse pikërisht dita e sotme përkon me 67 vjetorin e tij të lindjes. Ai ka lindur në Shkodër më 31 janar të vitit 1955 dhe në rininë e tij zgjodhi të merret me sportin e mundjes.

Hysen Vejuka ka qenë një nga mundësit më të mirë të vendit në vitet ’70 kur ai arriti të shpallet dy herë kampion I Shqipërisë në vitet 1978 dhe 1979 në peshën e nëntë, atë deri 100 kg. Po ashtu ka zënë vende të para edhe në shumë gara të tjera duke qenë pjesë edhe e ekipit kombëtar.

Bashkë me të vëllanë e tij të më madh, Isa Vejukën ata krijuan një dyshe vëllezërish shumë të suksesshëm në sportin e mundjes së lirë sëbashku edhe me Rrok Bardelin, Alfred Bardelin, Luigj Zefin, Agustin Mhillin, Tasim Rexhen etj. Familja Vejuka ka dhënë një kontribut të madh në sportin e mundjes dhe dy vëllezërit sigurisht që kanë punuar dhe sakrifikuar jo pak për të lartësuar emrin e Vllaznisë.

Por duhet thënë se jeta e tij u mbyll shpejt sepse në shtator të vitit 2012 ndërroi jetë në moshë të re, vetëm 56 vjeç duke mos mundur t’i rezistojë sëmundjes së zemrës. Megjithatë karriera e tij është shkruar dhe ai zë një vend të rëndësishëm në panteonin e mundjes shkodrane.
Gjergj KOLA