23 janar i vitit 2021 do të mbetet një ditë e zezë për volejbollin shkodran. Si sot një vit më parë, u nda nga jeta në moshën 78 vjeçare legjenda e volejbollit shkodran dhe atij shqiptar Ali Bushati.

Ali Bushati ka lindur ne 24 tetor 1942 Shkoder dhe zgjodhi te merret me volejboll, sport me te cilin ka bere emer dhe per te cilin e ka njohur e gjithe Shqiperia si nje nga volejbollistet me te talentuar te saj.

Ai ka zhvilluar rreth 60 ndeshje ndërkombëtare (25 me ekipin përfaqësues). Për 7 vjet Vllaznia e Ali Bushatit (trajner-lojtar), Franc Jakovës (trajner) Tonin Fistanit, Sandër Palokës, Viktor Jubanit, Mark Grimcit, Xhelal Haxhit, Bato Lashovës etj rivalizojnë për titull me Dinamon. Kjo e fundit e huazonte përherë në ndeshjet e Kupës së Kampioneve të Europës.

Padyshim, Bushati ka bërë epokë në volejbollin shkodran dhe mbetet figura më e madhe e këtij sporti në Shkodër. Ai është fokusuar dhe zgjedhur në 10 figurat më të mëdha të shekullit të njëzet . Njeriu i virtuozitetit të topit në rrjetë është futur në gjashtëshen shekullore të volejbollit shqiptar dhe renditet i katërti në Shqipëri pas Asllan Rusit, Dashamir Fagut dhe Petrit Murzakut.

Shpirti i lartë i garës, lufta e fortë sportive, egoja për fitore, vlerësimi maksimal për çdo ndeshje, lojtari me cilësi universale si shuter, pasues, organizator, njohës e veprues i shkëlqyer i bllokut, kanë qenë karakteristikat kryesore të tij, për të cilat është vlerësuar me këtë titull të lartë.

Gazeta “Shkodra Sport” ka zgjedhur njevjetorin e ndarjes se tij nga jeta per ta kujtuar edhe njehere mjeshtrin e volejbollit Ali Bushati dhe padyshim qe do ta kujtojme gjithmone sepse eshte nje pjese e rendesishme e historise se klubit Vllaznia dhe e volejbollit shqiptar.
Gjergj KOLA