Me pak vonesë, por punimet në fushën sportive “Reshit Rusi” po ecin në mënyrën e duhur. Ditën e sotme pritet te përfundoje plotësisht procesi i heqjes së tapetit të vjeter të kësaj fushe. Bashkia Shkodër ka siguruar mjetet e duhura për ta kryer atë dhe punimet kanë ecur me ritmin e duhur.
Por ndërkohë nga nesër, pritet të nisë puna për vendosjen e tapetit të ri. Firma që do të merret me këtë proces, ka bërë të ditur se ai do të zgjasë 3-4 javë nëse gjërat shkojnë ashtu si duhet. Kjo do të thotë se shpresat janë që fusha të jetë gati në fillimin e muajit dhjetor.
Ekipet e Akademisë Vllaznia janë duke i zhvilluar seancat stërvitore në fusha të tjera të qytetit, ndërkohë që problem për ta është zhvillimi i ndeshjeve. Deri më tani, është bërë e mundur luajtja e tyre në Shkodër, por po shihet mundësia që të bëhet një ndryshim në kalendar, për t’i luajtur ndeshjet e kësaj faze jashtë dhe ato të fazës tjetër pastaj në “Reshit Rusi”.
Investimi mundësuar nga Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Klubin e Futbollit Vllaznia ka qenë mëse i domosdoshëm sepse tapeti i vjetër, i vendosur plot 13 vjet më parë, kishte degraduar plotësisht.
Aq sa, kanë qenë të shumta edhe dëmtimet e sportistëve prej tij. Megjithatë, me vendosjen e tapetit të ri sintetik, gjërat pritet të ndryshojnë. Madje jo vetëm për ekipet e Akademisë Vllaznia dhe ekipin e femrave, por edhe për ekipin e parë i cili me nisjen e periudhës së shirave, ka patur shumë probleme për stërvitje këto vitet e fundit. Fusha në këtë mënyrë po bëhet gati, por të gjithë janë të vetëdijshëm se nuk mjafton./SHKODRA-SPORT.COM/