Kategoria Superiore do të ulë siparin e javës së 11-të me tre duele që premtojnë spektakël dhe emocione ditën e sotme.

Në orën 13:00, në stadiumin e qytetit të Laçit, do të luhet takimi Laçi-Partizani.

Kurbinasit e Dejan Vukiçeviçit duket se kanë gjetur ecurinë pozitive, teksa vijnë në këtë duel me dy fitore radhazi në kampionat.

Ndërsa të kuqtë nga kryeqyteti duan fitoren pas humbjes së ndeshjes së kaluar ndaj Egnatias, por edhe për të ruajtur kreun e renditjes.

Në orën 13:00, në stadiumin “Kukës Arena”, do të zhvillohet ndeshja Kukësi-Vllaznia.

Verilindorët e Enkeleid Dobit duan me çdo kusht kthesën teksa nuk fitojnë prej dy sfidash, ndërsa shkodranët e Mirel Josës kërkojnë tre pikët për të qenë në garë për zonën europiane.

Në po të njëjtën orë, në stadiumin “Selman Stërmasi”, do të luhet ndeshja Tirana-Egnatia.

Kampionët në fuqi të Shqipërisë duan fitoren e dytë radhazi, por edhe me synimin për tu ngjitur në vendin e parë në renditje.

Ndërsa rrogozhinasit me Shpëtim Duron në krye të pankinës kanë marrë një fytyrë tjetër, teksa synojnë vazhdimësinë e rezultateve pozitive në kampionat.