Rikthehet pas dy sezonesh e gjysëm sërish në krye të Veleçikut dhe sigurisht që ai si gjithmonë do të bëjë më të mirën për këtë skuadër, me të cilën ka arritur jo pak suksese në karrierën e tij si trajner. E kemi fjalën për Besnik Dulin i cili ka marrë përsipër një mision të vështirë sepse skuadra koplikase për momentin ndodhet në pozita jo të mira pas largimit të disa futbollistëve.

Ndërkohë në një prononcim ekskluziv për gazetën “Shkodra Sport” ai do të shprehej: “Falenderoj kryetarin e Bashkisë për emërimin tim në krye të Veleçikut. Unë kam një jetë të tërë pranë kësaj skuadre dhe nuk mund t’i thosha “jo” ofertës për ta drejtuar sërish atë.

Megjithatë kam edhe unë kërkesat e mia dhe ia kam bërë të qartë edhe drejtorit por dhe e gjithë Bashkisë se dua mbështetjen e duhur, megjithëse kryetari është shprehur se nuk do na mungojë asgjë.

Po ashtu, kërkoj nga sportistët një vlerësim maksimal në çdo seancë stërvitore për të arritur qëllimin tonë të përbashkët, i cili për momentin është minimal dhe përfshin mbijetesën.

Me kalimin e javëve do të shohim edhe për afrimet e mundshme që mund të bëjmë, por e kemi të qartë se nuk do të jetë e lehtë, prandaj nuk duhet të ngutemi në objektivat tona”./SHKODRA-SPORT.COM/