Kryendeshja e kësaj jave në kampionatin shqiptar do jetë ajo mes Partizanit dhe Vllaznisë. Një duel që në vite ka prodhuar përballje të paharrueshme dhe që kanë ngelur në memorien e të gjithëve.

Edhe ndeshja e kësaj jave paraqet interes dhe tifozët duket se po fillojnë organizimet për fundjavën. E nëse kishte dyshime se ku do luhej takimi në “Air Albania” apo “Elbasan Arena” tashmë ato janë shuar.

Ndeshja është konfirmuar për tu luajtur në Tiranë, në stadiumin “Air Albania”, në orën 16:45 të ditës së shtunë. Impianti më modern në vend do mirëpresë takimin më të rëndësishëm të javës së 21-të. Ky është një stadium që për Vllazninë sjell kujtime shumë të bukura, e pikërisht edhe ndaj Partizanit.

Kjo pasi në javën e 35-të sezonit të shkuar, kuqeblutë merrnin një fitore të madhe kundër të kuqve. Shkodranët fitonin 0-1 në “Air Albania”, vendoste një gol i shënuar me penallti nga Herald Marku. Sukses që do mbante në lojë kuqeblutë deri në javën e fundit për fitimin e kampionatit.

Patjetër këto janë ndeshje që mbahen mend gjatë, e pa harruar këtu fitimin e kupës së Shqipërisë kundër Skënderbeut. Po në shifrat 1-0, e po ashtu në “Air Albania”. Duket se stadiumi i kryeqytetit është fatsjellës për skuadrën e drejtuar nga Brdariç që patjetër do kërkojë vazhdimësinë e rezultateve pozitive këtë javë kundër Partizanit.
Endri ÇINARI