Duhej të kishin nisur sot por në fakt nuk ka ndodhur kështu. Punimet në stadiumin “Loro Boriçi” jo vetëm që nuk kanë startuar por nuk dihet saktësisht se kur do të ndodhë kjo sepse nga Tirana akoma nuk ka ndonjë sinjal. Ndryshe nga sa u tha se Bashkia Shkodër ka bllokuar nisjen e punimeve, në fakt nuk rezulton të jetë kështu. Ky institucion përmes klubit të futbollit Vllaznia të cilit ia ka dhënë në përdorim stadiumin, ka kërkuar thjesht një kontratë në mes FSHF-së dhe këtij institucioni për këtë gjë ku të jenë të detajuar të drejtat dhe detyrimet e palëve.

Kjo sepse në zyrat e Bashkisë që është pronarja legjitime e këtij objekti, nuk ka asnjë vendim të KKRT të Shqipërisë, asnjë projekt të stadiumit, asnjë vendim për prishjen e tribunës qendrore, asnjë vendim për kompesimin e pronarëve rreth e qark stadiumit të cilëve do u prishen banesat apo do u zihet toka etj. Po ashtu, ende nuk dihet me saktësi se çfarë do bëhet me palestrat e boksit, peshëngritjes, çiklizmit, mundjes, shahut, bliardos etj, palestra këto që ndodhen poshtë tribunave. Ende nuk dihet se si do të funksionojë ky stadium pas ndërtimit të plotë, kush do ta administrojë etj. Për këto arsye, pritet një kontratë nga FSHF-ja dhe përderisa ajo nuk ka sjellë ende asnjë dokument në Bashkinë Shkodër dhe në klubin Vllaznia, punimet nuk mund të nisin.
© shkodrasport.com