Sulejman Starova është kureshtar të shohë në veprim këtë muaj disa futbollistë të cilët nuk kanë qenë më parë pjesë e grumbullimeve të Silvinjos. Broja, Manaj apo edhe Arbër Hoxha janë alternativat që trajneri ka ftuar për dy miqësoret, duke lënë jashtë emra si Daku e Muja të cilët ishin pjesë e eliminatoreve.

Në një intervistë për “Sport News” në “News 24”, Shefi i Sektorit të Edukimit në FSHF, ka treguar në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa këndvështrimin e tij rreth ndeshjeve të marsit dhe çfarë pret nga këta emra të rinj që do të luftojnë për një biletë në Europian.


Si është atmosfera këto ditë në “Shtëpinë e Futbollit”, nuk të krijon përshtypjen e një testi miqësor…

Ky rezultat që kemi arritur është meritë e skuadrës dhe trajnerit, por natyrisht edhe produktivitet i stafit. Edhe puna është shumë e lodhshme, për këtë jemi shpërblyer. Tani kemi përpara objektiva të tjera, kemi ambicie të mëdha. Hoxha është prurje e re, një lojtar interesant. Për formacionin do të shohim, ka kohë. Situatë optimiste është, edhe sot kemi kontakte me stafin. Trajneri do zgjedhë lojtarët që i përshtaten filozofisë së tij. Konkurrenca është e ndershme, të gjithë presin urdhrin për t’u aktivizuar.

Duket sikur çdo minutë me fanellën kuqezi është një test për të gjithë lojtarët, të gjithë duan të jenë në Europian. Kishte kohë që fanella kuqezi nuk peshonte kaq shumë…

Të gjithë duan të luajnë por nuk do luajnë të gjithë. Të gjithë do të bëjnë maksimumin për të marrë një ftesë.

Broja, Manaj, Kumbulla, të gjithë e prisnin me padurim këtë herë ftesën. A do jenë këto teste një provë gjenerale për listën finale?

Puna dhe detyra është mjaft e vështirë, objektivi kryesor është arritja e qëllimit. Tani që kanë ardhur jo të gjithë janë me minuta të barabarta në këmbë. Dikush ka luajtur 90 minuta, dikush 40 minuta. Dilemat, konkurrenca në grup, me siguri që është një hap i madh për të kapur një vend në formacion.


Starova, sfidojmë Kilin në Itali, në tokën e atyre që do i kemi rivalë në Europian. Çfarë sfidë pret, sa do na shërbejë?

Me siguri se do na shërbejë shumë. Me takimet që kam patur, për momentin qoftë me stafin apo trajnerin, dihet që kjo miqësore luhet për t’u fituar. Kili nuk do koment, është një kundërshtar i fortë.

A do të eksperimentojë Silvinjo në këto dy miqësore? A mund të sjellë një Shqipëri ndryshe, apo tashmë është i konfiguruar moduli, filozofia…

Silvinjo ka thënë që dera e kombëtares është e hapur. Të gjithë lojtarët po monitorohen, vendimi final hyn të vështirësia e Silvinjos. Të gjithë jemi në pritje të shikojmë sesa do arrijë të bëjë mirë Manaj, pasi kemi edhe Cikalleshin.


Kemi katër elementë të rinj në këtë grumbullim, them të rinj për Silvinjon. E kam fjalën për Manaj, Broja, Kumbullën dhe Arbër Hoxhën. A mund të ndryshojnë këto elemente balancat në Kombëtare?

Këto nuk janë të rinj, janë lojtarë të ekipit. Hoxhën e përmenda pasi vjen për herë të parë, me siguri ka qasje tjetër me trajnerët. Këtu është vështirësia më e madhe pasi bën mirë në Europë dhe vjen për herë të parë. Broja është e ardhmja e futbollit shqiptar, por varet gjithçka nga momenti apo nga fakti sesa do aktivizohet. Rivaliteti është i madh, jemi kuriozë. Do vazhdojmë me treshen e zakonshme, apo do ndërrojmë diçka, kjo është çështja!


E pranoi edhe Silvinjo, sulmi është një dhimbje koke për mua u shpreh. A jemi më të fortë me Manajn, Brojën dhe Hoxhën?

Si gjithë formacioni. Mezi presim të shikojmë si do shkojnë gjërat.

Këtë herë la jashtë dy sulmues, Mujën dhe Dakun. Më shumë bëri lajm në Kosovë ky vendim i Silvinjos. A është ky një sinjal edhe për listën finale. Si e pe këtë vendim?

Përgjigjen e saktë e jep vetëm trajneri. Në një këndvështrim tjetër, Dakun dhe Mujën e ka parë, ndërsa tani do të shikojë të tjerët. Daku dhe Muja nuk janë lënë jashtë. Do e shikojmë në fund fare së kë ka lënë jashtë trajneri.


Starova, e parë nga jashtë, e parë në të ftohtë, si trajner, në sytë tuaj, ku mund të përmirësohemi? Ku kemi nevojë për diçka më shumë?

Po të kthejmë kokën pas, Polonia dhe Çekia ishin më mirë se ne në letër, por ia dolëm. Ne nuk kemi emra të mëdhenj, por kemi qenë kompakt në anën difensive. Kemi qenë skuadër e mirë. Duke iu lutur edhe Zotit, që disa lojtarë që godasin bukur nga larg, shpresojmë që të jenë në formë të gjithë. Do isha i kënaqur me ndeshje të mira. Pres ekip kompakt, duhet edhe harmonia, kjo lloj konkurrence do shumë kujdes që të ruhet edhe harmonia.


A është shqetësues fakti që një pjesë e legjionarëve vijnë në këto miqësore me pak minuta, flas për lojtarë si Kumbulla, Bajrami, Asani, Broja etj…

Në këtë nivel aktivizimi, kemi Asllanin te një nga skuadrat më të mira në botë. Le të shpresojmë që të mos ndihet kjo gjë që e kemi te disa lojtarë të veçantë.

Në kualifikuese spikatën lojtarë si Asani, Bajrami, Asllani etj. Në perceptimin tënd, kush mund të jetë ylli i ri, surpriza e re?

Unë besoj te forca e grupit. Le të shpresojmë që të përsëriten perlat e kualifikueseve. Mund të ndodhë, pasi kemi lojtarë me specifika të veçanta. Shpresojmë që të kemi edhe fatin me vete.

Në fund, si e parashikon miqësoren me Kilin?

Parashikoj një lojë tipike tonën, ne do jemi kompakt në prapavijë. Është një skuadër që dallimi me skuadrat e forta është se të gjithë lojtarët kërkojnë që të çajnë linjën tonë, për të shfrytëzuar gjerësinë e fushës. Parashikoj një ekip të shpejtë në tranzicion, besoj se këto do jenë armët që ne do përballemi edhe në Europian ndaj Spanjës, Italisë dhe Kroacisë. Ndoshta do provojmë edhe presing të lartë. Shpresoj që të bëjmë një përfaqësim dinjitoz. Ndeshja është në sytë e të gjithëve. Shpresojmë te fitorja, por edhe një barazim nuk do ishte keq.